Anëtarët e partisë kryesore opozitare të Shqipërisë, bllokuan të hënën kryqëzimet kryesore të kryeqytetit, Tiranës, në një protestë antiqeveritare duke bërë thirrje për një qeveri teknike përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.
Në tubimin e parë pasi udhëheqësi i tyre u lirua nga arresti shtëpiak, aktivistët e lidhur me Partinë Demokratike, sfiduan të ftohtin dhe shiun për të bllokuar trafikun në pesë kryqëzime kryesore.
Protestuesit akuzojnë qeverinë e majtë të kryeministrit Edi Rama për korrupsion, manipulim të zgjedhjeve dhe uzurpim të pushteteve të drejtësisë.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, 80 vjeç, u lirua muajin e kaluar nga arresti shtëpiak i vendosur pasi kishte shkelur një urdhër gjykate. Berisha akuzohet për korrupsion.
Qindra oficerë policie u vendosën për të mbrojtur ndërtesat qeveritare dhe për të lehtësuar trafikun. Pas 90 minutash, autoritetet nisën t’i largonin protestuesit nga kryqëzimet, gjë që rriti tensionin dhe çoi në disa përplasje.
Në fillim të këtij viti, Partia Demokratike dhe mbështetësit e koalicionit të saj opozitar zhvilluan protesta për arrestimin e Berishës dhe ish-Presidentit Ilir Meta, duke thënë se akuzat janë të motivuara politikisht.
Tirana ka hyrë në bisedime me BE-në për përafrimin për çështjet përfshirë sundimin e ligjit, trajtimin e korrupsionit, sigurinë dhe mbrojtjen. Shqipëria synon të anëtarësohet në bllok deri në vitin 2030, sipas Ramës.
Zgjedhjet postkomuniste në Shqipëri janë dëmtuar shpesh nga parregullsi, duke përfshirë blerjen e votave dhe manipulimin e numërimit të votave./Associated Press