Protesta kombëtare e thirrur nga opozita të shtunën e 8 shkurtit ka vënë në gatishmëri Policinë e Shtetit. Leja e kërkuar në polici nga organizatorët e tubimit është 3 orë, duke nisur nga ora 17:00 deri në orën 20:00.
Sipas shkresës dorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, PD ka njoftuar se qytetarët do të mblidhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së kryeministrisë.
Që me nisjen e protestës e deri në përfundim të saj, nga Policia Rrugore do të bllokohen të gjitha rrugët që lidhen me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe do të ketë devijime në disa prej tyre.
Për të garantuar rendin dhe sigurinë, në terren do të jenë rreth 1 200 efektivë, duke nisur nga forcat e rendit, FNSH dhe Shqiponjat. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA, nëse do të duhet ndërhyrja e tyre. Ndërsa punonjës të Gardës së Republikës do të marrin në ruajtje institucionet e rëndësisë veçantë.