Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka përcjellë një mesazh të fortë nga qelia, duke përshëndetur protestuesit që u mblodhën para Kryeministrisë në protestën e opozitës. Në fjalën e tij, Meta e cilësoi ish-kryeministrin Sali Berisha “qëndrestar të paparë” dhe deputetin Ervin Salianji “zemërluani opozitar”.
“Përshëndetje për ju, misionarë të lirisë, që protestoni kundër narkoregjimit të vetëm në Evropë. Përshëndetje për profesor Sali Berishën, qëndrestarin e paparë, përshëndetje për Ervin Salianjin, zemërluanin opozitar dhe të gjithë të burgosurit politikë të këtij narkoregjimi që është në grahmat e fundit,” tha Meta.
Më tej, ai shtoi se “çdo shtet ka mafien e tij, por në Shqipëri mafia ka shtetin e saj”, duke theksuar se kjo vërtetohet edhe nga akuzat e bëra së fundmi nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj për korrupsionin brenda qeverisë.
Mesazhi i Metës erdhi në një moment kyç të protestës, duke ngritur akuzat e tij ndaj qeverisë dhe mbështetur frymën e qëndresës opozitare. Ndërkohë, protesta vijoi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me thirrje kundër qeverisë.
“Ju sjell përshëndetjet më të mira nga miqtë në SHBA” – Fatmir Mediu në protestën e opozitës: Nuk jemi këtu për pushtet, por për shtetin e shqiptarëve
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka mbajtur një fjalim gjatë protestës së opozitës para Kryeministrisë, ku përshëndeti protestuesit dhe përcolli një mesazh nga miqtë amerikanë në Kongres dhe Senat. Sipas Mediut, SHBA-të mbështesin Shqipërinë drejt zgjedhjeve të lira dhe një qeverisjeje pa korrupsion.
“Ju sjell përshëndetjet më të mira nga miqtë tanë në Kongres dhe Senat, ata që na mbështetën në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe që do të na mbështesin në rrugëtimin drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme. Miqtë republikanë të SHBA duan një Shqipëri pa korrupsion, pa krim dhe me një drejtësi të pavarur, jo një drejtësi që përdoret kundër opozitës,” tha Mediu.
Ai theksoi se opozita nuk proteston për pushtet, por për shtetin e shqiptarëve dhe për mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe drejtësisë.
“Ne nuk jemi për pushtetin, por për shtetin e shqiptarëve. Jemi këtu për ata që sakrifikuan në emër të lirisë dhe për prindërit tanë që na dedikuan jetën e tyre, ndërsa sot qeveria tallet me pensione qesharake,” u shpreh Mediu.
Në vijim, ai denoncoi largimin e intelektualëve nga vendi dhe sulmoi qeverinë për mbylljen e zërit të mendjeve të lira.
“Jemi këtu për të ndërtuar një të ardhme me liri dhe të drejtën për të folur,” tha ai. Mediu përmendi gjithashtu vizitën e presidentit amerikan George W. Bush në Shqipëri dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës si momente historike për vendin.
Protesta e opozitës vijoi me thirrje kundër qeverisë, ndërsa liderët opozitarë i bënë thirrje qytetarëve për më shumë mobilizim në rrugëtimin e tyre për “zgjedhje të lira dhe një qeveri pa korrupsion”.
Agron Duka në protestën e opozitës: Kjo mazhorancë ka dalë nga binarët e ligjit, sillen si pronarë të kësaj toke
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste (PAA), Agron Duka, mbajti fjalën e tij në protestën kombëtare të opozitës, të zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë. Në fjalimin e tij, Duka akuzoi mazhorancën për abuzim me pushtetin dhe për sjellje si “pronarë të tokës”, duke e përjashtuar ligjin nga vendimmarrja.
Duka theksoi se ka shumë arsye për të protestuar, por veçoi dy kryesore: shkeljen e ligjit dhe keqmenaxhimin e burimeve publike nga qeveria.
“Kjo mazhorancë ka dalë nga binarët e ligjit dhe nuk sillet si administratore e vendit, por si pronare e kësaj toke. Marrin tokën në bregdet, ndërtojnë resorte e vila dhe përvetësojnë paratë publike. Ata vendosin çmimin e kilometrave të rrugës sipas dëshirës dhe marrin tokën e fshatarit pa e kompensuar. Ligjet për zonat e mbrojtura i miratojnë me bujë dhe i ndryshojnë natën për të lejuar ndërtime,” deklaroi Duka.
Në vijim të fjalës së tij, Duka akuzoi qeverinë për mungesë serioziteti në qeverisje, duke përmendur edhe largimin e kompanisë Shell, pas dështimit të projektit për nxjerrjen e naftës në zonën e Shpiragut.
“Këta kanë humbur çdo sens serioziteti për të qeverisur. Shell u largua sepse operacioni për nxjerrjen e naftës në Shpirag dështoi,” përfundoi Duka.