Prokuroria italiane kërkon burgim të përjetshëm për bukëpjekësin shqiptar që vrau të dashurin e gruas dhe vajzën e tij
Prokuroria e Foggia-s në Itali ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm me izolim gjatë ditës për Taulant Malajn, 47-vjeçarin shqiptar të akuzuar për vrasjen e dy personave dhe tentativën e vrasjes së bashkëshortes gjatë një masakre të ndodhur më 7 maj 2023 në Torremaggiore.
Sipas rindërtimit të ngjarjes nga prokurorët Antonio Laronga dhe Sabrina Cicala, në orët e para të mëngjesit Malaj hyri në apartamentin e fqinjit të tij, Massimo De Santis, 51 vjeç, të cilin e goditi për vdekje me thikë. Ai besonte se De Santis kishte një lidhje me bashkëshorten e tij, Tefta Malaj. Më pas, Malaj u kthye në shtëpinë e tij, ku sulmoi me thikë gruan e tij dhe ndërkohë vajza e tyre 16-vjeçare, Jessica, ndërhyri për ta mbrojtur nënën. Malaj goditi edhe vajzën, duke i shkaktuar plagë fatale.
Tefta Malaj, pavarësisht plagëve të rënda, arriti të mbijetojë dhe u transportua në spital për ndërhyrje urgjente. Vajza, për fat të keq, ndërroi jetë në vend. Pas krimit, Malaj filmoi veten me celular, duke treguar kufomat dhe duke e justifikuar aktin si një ndëshkim për tradhtinë bashkëshortore. Ai tha: “E shihni këtë këtu, ai është italiani me të cilin besoj që gruaja ka një lidhje. E kam prerë, i kam vrarë të tre, edhe vajzën…”
Pas arrestimit, Malaj kërkoi gjykim të shkurtuar dhe ekspertizë psikiatrike, por gjykata i rrëzoi të dyja kërkesat, duke konstatuar se ishte plotësisht i ndërgjegjshëm për veprimet e tij. Në një nga seancat gjyqësore, kur u transmetuan pamjet e masakrës, Malaj reagoi dhunshëm, duke bërtitur dhe goditur me kokë hekurat e kafazit, çka çoi në nxjerrjen e tij nga salla e gjyqit.
Ngjarja është cilësuar si një ndër më makabret në rajonin e Capitanata në dy dekadat e fundit. Prokuroria tha se motivet ishin të qarta dhe nuk ekziston asnjë element që të justifikojë apo të zbusë përgjegjësinë penale të Malajt.
Gjykata për të Mitur në Bari ka vendosur t’i heqë Malajt të gjitha të drejtat prindërore për djalin e tij të mitur, duke ia dhënë kujdestarinë nënës, e mbijetuara e masakrës.