Prokuroria e Përgjitshme ul ngarkesën e prokurorëve: Memorandumi i bashkëpunimit me PSH rol kyç….

Gjejmë me vend të theksojmë se pavarësisht arritjeve, prokuroritë vijojnë të përballen me sfida dhe problematika në menaxhimin e ngarkesës së lartë të punës por edhe në nivelin jo të kënaqshëm të koordinimit dhe rolit aktiv të drejtuesve në nxjerrjen e udhëzimeve jo të detyrueshme për çështje konkrete dhe marrjes së masave të plota administrative dhe/ose procedurale për zbatimin e udhëzimeve të përgjithshme dhe rekomandimeve të rezolutës, rekomandimeve prioritare, detyrimeve në kuadër të procesit të integrimit dhe më pas në mbikëqyrjen apo ndjekjen efektive të tyre.
Një problem konstant për drejtuesit mbetet organizimi dhe mbikëqyrja e punës së oficerëve të policisë gjyqësore, ku duhet theksuar se roli i tyre është i zbehtë dhe pasiv, ndërkohë që janë siguruar instrumenta ndihmëse shtesë për të siguruar një efikasitet më të lartë të seksioneve të policisë gjyqësore. Këtu do të veçoja sistemin e ri të raportimit të veprimeve hetimore të oficerëve të policisë gjyqësore, nga i cili kanë rezultuar probleme të ndryshme në mënyrën si funksionojnë seksionet, si p.sh. në lidhje me shpërndarjen e ngarkesës së punës apo volumin e veprimeve hetimore të kryera. Roli pasiv i drejtuesve në këtë aspekt ndikon në performancën e zyrave që ata drejtojnë dhe ndihet nevojë për një qasje më dinamike prej tyre në të ardhmen.
Nisur edhe nga ankesat e qytetarëve, rezulton se në një masë relativisht të ndjeshme duhet përmirësuar cilësia e komunikimit me qytetarët në drejtim të dhënies së informacionit të kërkuar prej tyre në kuadër të hetimeve penale.
Në një pjesë të prokurorive ka nevojë për një aplikim më efikas të udhëzimit mbi zbatimin e nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale dhe trajtimin e referimeve të tjera që dukshëm nuk përmbajnë elementë të ndonjë vepre penale, që ndikon në uljen e ngarkesës së punës.