Projektligji për vetingun, Basha: Mundësi për të pastruar politikën!
Kryetari i PD ka komentuar sot projektligjin e propozuar prej tij për vetingun e politikanëve, luftën që SPAK po bën ndaj korrupsionit dhe marrëveshjen për emigrantët.
Vetingu i politikanëve për kryetarin e PD, ështe mundësi për të pastruar politikën dhe për të dëshmuar kush janë politikanët e korruptuar e kush jo, kush janë politikanët e lidhur me krimin e kush jo.
“Projektligji që është depozituar dje, është projektligji për vettingun e politikanëve, pra ajo që ka ndodhur prej vitesh me gjyqtarët dhe me prokurorët, me punonjësit e policisë dhe me punonjësit e gardës, tani do t’i nënshtrohen dhe politikanët. Çfarë do të thotë? Do të thotë kontroll i përvitshëm i pasurisë së politikanëve, familjeve dhe rrethit të tyre shoqëror, me parimin ndiq paranë. Pra, për të konfirmuar që pasuria është e justifikueshme dhe e ligjshme, do të bëhet kontrolli i plotë dhe i detajuar i 140 deputetëve, 61 kryetarëve të bashkive, anëtarëve të qeverisë të zgjedhur me mandat kushtetues dhe një sërë drejtorësh të rëndësishëm të shtetit. Aspekti i dytë i projektligjit për vettingun e politikanëve, ka të bëjë me kontrollin e lidhjeve të papërshtatshme siç e quan kontrollin e gjyqtarëve apo të prokurorëve ose më mirë të themi lidhjeve me krimin e organizuar. Dhe për këtë, çdo politikan, çdo vit, duhet të vetëdeklarojë që nuk ka kontakte të papërshtatshme me botën e krimit. Kjo deklaratë pastaj kontrollohet nga autoriteti për luftën kundër korrupsionit, që është ILDKP e reformuar, që do bëjë edhe kontrollin e pasurisë, edhe kontrollin e pastërtisë së figurës. Për këtë të dytën, merret informacion nga shërbimet inteligjente, nga policia e shtetit, nga SPAK dhe nga BKH-ja.”