“Programi i PD për energjinë dhe burimet natyrore”, Berisha: Shoh “Shqipërinë Madhështore” të viteve që vijnë

Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi se programi i tyre qeveritar për energjinë dhe burimet natyrore sheh Shqipërinë Madhështore të viteve që vijnë.

“Në këtë kuadër, mobilizimi i potencialit intelektual dhe ekspertizës më të mirë shqiptare dhe të huaj, është një objektiv i yni.Fuqizimi i institucioneve tona kërkimore shkencore është kusht i domosdoshëm që këto pasuri të shfrytëzohen në mënyrë racionale dhe të shndërrohen në pasuri të vërteta për shqiptarët. Mineralet, nafta, gazi, janë shfrytëzuar prej kohësh, por ka shfrytëzim e shfrytëzim. Ka shfrytëzim kolonial, ka shfrytëzim tjetër në të cilin në vendet e lira, këto pasuri shndërrohen në pasuri të qytetarëve, në shumë mënyra. Këtu synojmë ne.Ne do i japim një rëndësi të jashtëzakonshme sektorit minerar. Do i japim një rëndësi të jashtëzakonshme shfrytëzimit të këtyre potencialeve, zbulimit të potencialeve të tjera, industrisë përpunuese.

Këto shkojnë me njëra-tjetrën, energjia dhe minierat, mbështesin njëra-tjetrën. Dhe unë shoh në këtë program, shoh Shqipërinë Madhështore reale të viteve që vijnë. Ndaj dhe ju falënderoj shumë për këtë kontribut dhe ftoj të gjithë ekspertët, specialistët e këtyre fushave të një rëndësie shumë të madhe, të shprehin mendimet e tyre në mënyrë që ky program i paraqitur të pasurohet në të gjitha aspektet dhe të instalohet pas 11 majit me vendosmëri, përgjegjësi dhe saktësi, në mënyrë që të shënojmë gjithnjë e më shumë, të ecim gjithnjë e më shumë drejt Shqipërisë Madhështore. Në këto fusha, natyra dhe Zoti u ka dhënë gjithçka shqiptarëve. Mbetet në duart e tyre ta konkretizojnë Shqipërinë që duan,” tha Berisha.