“Programi i PD, aq i mirë sa PS e vodhi”, Berisha: Edhe Nokia tentoi të kopjojë iPhone-in, por dështoi!
“Programi i PD, aq i mirë sa PS e vodhi”, Berisha: Edhe Nokia tentoi të kopjojë iPhone-in, por dështoi!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë në prezantimin e programit elektoral të PD në Pallatin e Kongreseve gjatë Kuvendit Kombëtar të PD, ku theksoi se projekti i Partisë Demokratike është një mundësi e jashtëzakonshme për Shqipërinë, duke e cilësuar si programin më të mirë që vendi ka parë gjatë 34 viteve të fundit.
Berisha u shpreh se edhe Partia Socialiste, e cila ka udhëhequr për shumë vite dhe është kritikuar për mashtrimet dhe vjedhjet, tani po përpiqet të kopjojë programin e PD-së. “Madje edhe PS e ka vjedhur programin tonë”, tha ai.
Për ta shpjeguar këtë ide, Berisha bëri një krahasim me industrinë e teknologjisë, duke iu referuar historisë së Nokia dhe Apple. “Nokia ishte një kompani që arriti kulmin e saj, por kur tentoi të kopjonte iPhone të Apple, ajo dështoi”, tha Berisha. Ai shtoi se Apple, pas këtij momenti, vazhdoi të përmirësojë produktin e saj, duke arritur suksesin më të madh, ndërsa Nokia e humbi terrenin.
“Projekti i PS është një tentativë për të vjedhur dhe mashtruar, por kopjet nuk mund të kenë sukses”, u shpreh ai, duke theksuar se vetëm programi i PD ofron një të ardhme të qëndrueshme dhe me vlera të vërteta për qytetarët shqiptarë.