PROFILI/ U shpëtoi plumbave bashkë me familjen, kush është Mond Voga, e shkuara kriminale dhe atentatet ndaj tij
Një lokal në pronësi të Mondi Vogës në fshatin Krastë të Fushë-Krujës është sulmuar me breshëri kallashnikovi nga persona ende të paidentifikuar.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:10 të natës, ndërsa në momentin e të shtënave, brenda lokalit-hotel ndodhej vetë Voga me bashkëshorten dhe fëmijët.
Në vendngjarje policia ka gjetur rreth 15 gëzhoja arme automatike. Fatmirësisht nuk ka të lënduar, ndërsa policia ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve.
Kush është Mondi Voga, nga drejtori i ALUIZNI-t tek ngjarjet kriminale dhe lidhjet me botën e krimit
Voga, 49 vjeç, ka qenë shofer i ish-prokurorit Arjan Ndoja, të cilit iu bë atentat në vitin 2019. Ndoja më pas u përjashtua nga drejtësia për lidhje me krimin dhe pasuri të pajustifikuar, por u rikthye në politikë dhe u zgjodh deputet me Partinë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit.
Edhe vetë Voga ka pasur përplasje me ligjin. Në vitin 2017, iu vendos eksploziv në lokalin e tij. Në vitin 2018, ai u përfshi në dhunimin e një avokati. Ndërsa në janar 2020 u arrestua në Tiranë për armëmbajtje pa leje, duke udhëtuar me një makinë të blinduar dhe me fenelina policie. Në çantën e tij u gjet një armë zjarri tip TT pa leje.
Në të kaluarën, ai ka mbajtur edhe pozicione në administratë: ka qenë inspektor mjedisi në Durrës dhe më herët drejtor i ALUIZNI-t në Fushë-Krujë. Familja e tij nuk ka qenë jashtë probleme disa vite më parë, makinës së vëllait të tij, efektiv policie në Tiranë, iu vu flaka dhe iu lanë dy granata pranë.