Profili/ Kush është Joan Pelushi, Kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse Shqiptare

Mitropoliti i Korçës, Joan Pelushi, është zgjedhur Kryepeshkop i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, pas dorëheqjes së Anastas Janullatos.

Joan Pelushi ka lindur në janar të vitit 1956 në Tiranë, në një familje bektashiane. Ai u konvertua në ortodoksinë e krishterë në vitin 1975, gjatë vitit të maturës, pasi një shok i tij i huazoi një kopje të Dhiatës së Re në frëngjisht.

Arsimi dhe shërbimi në Kishën Ortodokse

Pelushi ka studiuar në SHBA, në Holy Cross Orthodox School of Theology, Boston, ku u diplomua me gradën Master of Divinity, falë një burse të krijuar nga shqiptarët në Amerikë në kujtim të Fan Nolit.

Pas përfundimit të studimeve, At Joani u kthye në Shqipëri, ku Kryepeshkopi Anastas e caktoi si pedagog në Seminarin Teologjik. Në 27 shkurt 1994, ai u hirotonis si dhjak, ndërsa më 4 dhjetor të po atij viti u shugurua prift.

Në vitin 1996, u emërua drejtor i Seminarit Teologjik në Durrës dhe më 19 nëntor të po atij viti u ngrit në rangun e Arkimandritit. Në 18 korrik 1998, u zgjodh Mitropolit i Korçës, duke u fronëzuar dy ditë më pas.

Kontributet akademike dhe botimet

Përveç shërbimit të tij në Kishën Ortodokse, Joan Pelushi ka pasur një kontribut të rëndësishëm akademik si dekan i Akademisë Teologjike. Ai ka përkthyer dhe botuar disa libra teologjikë, ndër të cilët:

• “Mbi Shpirtin e Shenjtë” (1996)

• Seria “Besimi Ortodoks” (1997-2002)

• “Shën Siluani” (2003)

• “Dogmatika” (tekst akademik)

• “Shenjtorët iliro-shqiptarë”

• Predikime dhe artikuj në gazetën “Ngjallja”

Gjithashtu, ai ka përfaqësuar Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në simpoziume shkencore brenda dhe jashtë vendit.

Me zgjedhjen e tij si Kryepeshkop i ri, ai merr detyrën për të udhëhequr komunitetin ortodoks shqiptar, duke pasuar Anastas Janullatos, i cili drejtoi Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për më shumë se 30 vite.