PROFILI/ Kush është Dritan Gjika “Mbreti i kokainës”, lidhjet me shtetin dhe si e mbizotëroi tregun në Ekuador

Dritan Gjika, i njohur ndryshe si “Shkodrani”, është cilësuar si një nga figurat më të fuqishme të krimit të organizuar shqiptar me veprimtari në Amerikën Latine. I lindur në Shkodër në vitin 1976, Gjika u zhvendos në Ekuador në vitin 2009, ku gradualisht ndërtoi një rrjet të fuqishëm dhe të sofistikuar të trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimit të parave.

Nga një qytetar pa ndonjë të shkuar të dokumentuar kriminale në Shqipëri, ai u shndërrua në një nga bosët më të rëndësishëm të mafies shqiptare me lidhje të forta në Kolumbi, Turqi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Nga eksportues bananesh në trafikant ndërkontinental

Fillimisht, Dritan Gjika u paraqit në Ekuador si një biznesmen që merrej me eksportin e produkteve bujqësore, sidomos bananeve – një nga eksportet kryesore të vendit. Ai krijoi kompani si “Agricomtrade”, “Cresmark” dhe më vonë “Cannmaná”, që përveç tregtisë së frutave, vepronin edhe në sektorin e ndërtimit dhe të kultivimit të kanabisit mjekësor. Por pas fasadës së ligjshme, fshihej një rrjet i fuqishëm trafikimi droge.

Sipas hetimeve të autoriteteve ekuadoriane dhe belge, Gjika përdorte këto kompani si mbulesë për të dërguar kokainë të pastër në konteinerë bananesh drejt portit të Antëerpit në Belgjikë, një nga portet më të rëndësishëm në trafikimin e drogës në Europë. Sasia e kokainës së trafikuar përllogaritet në tonelata, dhe rrjeti i tij përfshinte laboratorë kolumbianë, partnerë në Ekuador dhe shpërndarës në BE dhe Ballkan.

Një rrjet me lidhje politike dhe ndërkombëtare

Gjika nuk vepronte vetëm. Ai kishte ndërtuar lidhje të forta me figura të njohura të biznesit dhe politikës në Ekuador. Ndër bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë ishte Rubén Cherres, një biznesmen ekuadorian me lidhje të dyshuara me pushtetin, i cili u vra në mars të vitit 2023 në një atentat mafioz së bashku me tre persona të tjerë. Të dy kishin themeluar së bashku të paktën 13 kompani, kryesisht në fushën e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme – sektorë të njohur për pastrimin e parave.

Rrjeti i Gjikës kishte ngritur një sistem të mirëorganizuar për pastrimin e të ardhurave nga droga përmes kompanive të rreme, transfertave ndërkombëtare dhe investimeve në pasuri të paluajtshme. Në shumë raste, kompanitë u regjistruan nën emra të afërmve ose personave të tretë për të shmangur hetimet. Pavarësisht kësaj, një pjesë e aktivitetit u zbulua gjatë operacionit ndërkombëtar “La Pampa” në fillim të vitit 2024, ku u arrestuan disa bashkëpunëtorë të tij dhe u sekuestruan pasuri të shumta.

Një “fantazmë” pa precedent penal

Çuditërisht, pavarësisht veprimtarisë kriminale të përmasave ndërkombëtare, Dritan Gjika nuk ka qënë i përfshirë në ndonjë hetim penal në Shqipëri apo në vendet e BE-së.

Kjo “fshesë” e profilit të tij zyrtar ka bërë që për shumë vite të mos bie në radarët e policive europiane, ndonëse emri i tij përmendet në hetime të rëndësishme për trafik ndërkombëtar droge. Ekspertët besojnë se ai është një nga arkitektët kryesorë të “mafies shqiptare” në Amerikën Latine – një rrjet që ndërthur elementë të krimit të organizuar shqiptar me kartelët meksikanë dhe kolumbianë.

Ekuadori: porta e re e drogës për mafien shqiptare

Ekuadori, i kufizuar me Kolumbinë dhe Perunë – dy nga prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë – është kthyer vitet e fundit në një nyje kyçe të trafikimit të drogës drejt Europës. Portet e Guayaquil dhe Esmeraldas janë shfrytëzuar gjerësisht për trafikimin e kokainës përmes kontejnerëve detarë. Në këtë territor, mafia shqiptare ka fituar terren duke bashkëpunuar ose duke infiltruar rrjete lokale, duke përdorur korruptimin e zyrtarëve dhe bizneset e ligjshme si mburojë.

Dritan Gjika është një nga figurat simbol të këtij fenomeni – një baron droge që u ngrit në hije, ndërtoi një rrjet transkontinental të trafikut dhe arriti të fshihet në sytë e drejtësisë për më shumë se një dekadë.

Gjika u shpall në kërkim ndërkombëtar deri në arrestimin e tij në maj 2025, dhe aktualisht është në pritje të procesit të ekstradimit drejt Ekuadorit .

Rasti i Dritan Gjikës nxjerr në pah ndikimin e mafies shqiptare në Amerikën Latine dhe lidhjet e saj me qarqe të larta politike dhe ekonomike. Arrestimi i tij përfaqëson një hap të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe pastrimit të parave.