Profili| Jorge Mario Bergoglio, Papa i parë jashtë Evropës në krye të Selisë së Shenjtë! Drejtoi Kishën nga viti 2013 dhe u përball me skandalet e abuzimeve

Papa Françesku, i lindur si Jorge Mario Bergoglio më 17 dhjetor 1936 në Buenos Aires të Argjentinës, ishte Papa i 266-të i Kishës Katolike Romane dhe i pari Papë nga kontinenti amerikan. Ai ishte gjithashtu i pari në më shumë se një mijëvjeçar që vinte jashtë Evropës dhe i pari jezuit që u ngjit në krye të Selisë së Shenjtë.

I biri i emigrantëve italianë, përpara se të hynte në rrugën fetare, Bergoglio punoi si teknik kimik. Në vitin 1958, iu bashkua urdhrit jezuit, dhe në vitin 1969 u shugurua si prift. Ai u bë udhëheqës i jezuitëve në Argjentinë nga viti 1973 deri më 1979. Më vonë, në vitin 1992, u emërua peshkop ndihmës në Buenos Aires, ndërsa në vitin 1998 mori drejtimin e kryedioqezës. Në vitin 2001, Papa Gjon Pali II e ngriti në rangun e kardinalit.

Në vitin 2013, pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI, Bergoglio u zgjodh Papë dhe mori emrin Françesk, në nder të Shën Françeskut të Asizit, si shenjë e përkushtimit të tij ndaj përulësisë, thjeshtësisë dhe të varfërve.

Papati i tij u karakterizua nga një qasje progresiste dhe reformuese. Ai përpiu të hapte Kishën ndaj çështjeve moderne si drejtësia sociale, mbrojtja e ambientit dhe mëshira ndaj të margjinalizuarve. Në vitin 2015 publikoi enciklikën “Laudato si”, një dokument i fuqishëm mbi kujdesin për mjedisin dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i papatit të tij ishte përkushtimi ndaj dialogut ndërfetar. Në vitin 2019, Papa Françesku dhe imami i madh i Al-Azharit, Ahmed el-Tayeb, nënshkruan “Dokumentin për Vëllazërinë Njerëzore”, një marrëveshje historike që synonte promovimin e paqes dhe bashkëjetesës mes feve të ndryshme.

Papa Françesku do të mbahet mend gjithashtu për përpjekjet e tij për të trajtuar skandalet e abuzimeve seksuale brenda Kishës, megjithëse përballoi kritika të shumta mbi mënyrën dhe efektivitetin e veprimeve të ndërmarra.

Ndërroi jetë më 21 prill 2025, në moshën 88-vjeçare. Vdekja e tij u njoftua zyrtarisht nga kardinali Kevin Farrell në kanalin televiziv të Vatikanit, duke thënë se “peshkopi i Romës, Françesku, u kthye në shtëpinë e Atit” në orën 7:34 të mëngjesit.

Papa Françesku la pas një trashëgimi të thellë shpirtërore dhe sociale, si një Papë që e shndërroi Kishën në një zë më të ndjeshëm ndaj nevojave të botës moderne dhe sfidave të kohës.