PROFILET/ Nga Gledis Nano tek Jon Keta! Kush janë pretendentët për të marrë drejtimin e FBI-së shqiptare
BKH-ja, e njohur shpesh si “FBI-ja shqiptare”, po përballet me një garë të fortë për zgjedhjen e drejtuesit të saj të ri.
Ky pozicion për nga rëndësia po shihet me shumë interes për shkak se ka një rol kyç në fatin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë.
Në garë janë pesë emra me profile të spikatura në fushën e sigurisë, drejtësisë dhe hetimit, të cilët përfaqësojnë breza dhe qasje të ndryshme.
Të pestë kandidatët përbëjnë një spektër të gjerë përvojash, nga ekspertiza teknike dhe ndërkombëtare e Gledis Nanos, përvoja e brendshme institucionale e Joni Ketës, përkushtimi i heshtur dhe simbolika personale e Mentor Cukut, vizioni digjital i Elton Kërlukut, e deri te përvoja e thellë në hetimet financiare e Gentian Ndojt.
1. Gledis Nano/ Një figurë e njohur në frontin e sigurisë kombëtare
Gledis Nano është një nga emrat më të njohur në fushën e sigurisë publike në vend. Me një karrierë të gjatë në Policinë e Shtetit, ai ka shërbyer si drejtor i përgjithshëm i saj në vitin 2021, pas një karriere të gjatë në strukturën e Antiterrorit. Nano ka drejtuar operacione të ndjeshme dhe është trajnuar në bazën e FBI-së në Quantico, SHBA. Një ndër misionet më të përfolura të tij ka qenë operacioni i riatdhesimit të Floresha Rashës dhe fëmijëve të saj nga kampet në Siri – një aksion që u vlerësua si i suksesshëm dhe u mbështet nga partnerë ndërkombëtarë. Nano është po ashtu i njohur për hetimin e çështjes së “imamëve” dhe për rolin e tij në dëbimin e diplomatëve iranianë nga Shqipëria. Emërimi i tij në krye të Policisë së Shtetit në vitin 2021 u mbështet nga SHBA-të, por largimi i tij më vonë u shoqërua me përplasje të brendshme dhe kritika për reformimin e strukturës. Gjykata e shpalli shkarkimin e tij të paligjshëm, duke i dhënë një tjetër peshë publike figurës së tij. Rikandidimi për në krye të BKH-së shihet si një përpjekje për rikthim në një rol kyç, ku eksperienca dhe trajnimet ndërkombëtare do të mund të viheshin në funksion të hetimeve elitare.
2. Joni Keta/ Brenda BKH-së që nga dita e parë
Joni Keta është aktualisht drejtues i komanduar i Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas largimit të ish-drejtoreshës Aida Hajnaj. Ai është një ndër figurat që ka qenë pjesë e BKH-së që në fillimet e saj, duke ndërtuar karrierën mbi një bazë solide juridike dhe operative. Keta e ka nisur punën në strukturën e Prokurorisë për Krime të Rënda, përpara se të kalonte në SPAK, e më pas në BKH. Djali i prokurorit të njohur Hysen Keta, ai ka trashëguar një emër të respektuar në sistemin e drejtësisë, por ka ndërtuar një profil të pavarur si hetues i krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta brenda BKH. Në vitin 2024, garoi dhe fitoi postin e zëvendësdrejtorit të BKH-së, duke treguar besueshmëri dhe mbështetje brenda sistemit. Sot, ai kërkon drejtimin e plotë të kësaj strukture, me një qasje të qëndrueshme dhe të bazuar në përvojë të brendshme.
3. Mentor Cuku/ Hetuesi që bart një simbolikë të veçantë
Mentor Cuku është një tjetër figurë e respektuar që ka vendosur të garojë për drejtimin e BKH-së. Ai është një ndër hetuesit e parë të kësaj strukture dhe vjen me një eksperiencë të thellë në hetimin e krimeve të rënda. Por ajo që e bën kandidaturën e tij edhe më domethënëse është lidhja e fortë personale me sistemin e drejtësisë: ai është vëllai i kryekomisarit Artan Cuku, i vrarë në një atentat mafioz në vitin 2017 – një ngjarje që tronditi opinionin publik dhe strukturat e sigurisë. I njohur si një figurë e heshtur, por shumë e përkushtuar dhe e vlerësuar për integritetin e tij, Cuku është një nga kandidatët që gëzon respekt të gjerë në radhët e oficerëve të BKH-së. Ai ka qenë më parë në garë për postin e zëvendësdrejtorit dhe rikandidimi i tij për drejtues vjen si rezultat i një përvoje të konsoliduar dhe besimi të fituar me punë. Kandidatura e tij përfaqëson jo vetëm profesionalizëm, por edhe një dimension moral e simbolik që lidhet me sakrificën e familjes së tij në luftën kundër krimit.
4. Elton Kërluku/ Teknologjia dhe financa në shërbim të hetimit
Elton Kërluku sjell në garë një profil teknik dhe modern, të ndërtuar mbi përvojën në fushën e teknologjisë dhe krimit financiar. Ai ka qenë shef i sektorit të Krimit Kibernetik në Ministrinë e Brendshme, ku ka drejtuar çështje të ndërlikuara që lidhen me sigurinë digjitale, sulmet kibernetike dhe krimet ekonomike me bazë teknologjike. Më vonë, ai u përzgjodh si hetues kunder krimit financiar në BKH pas një gare shumë konkurruese, ku morën pjesë më shumë se 600 aplikantë. Ekspertiza e tij është vlerësuar si ndër më të përgatiturat në vend në fushën e hetimeve digjitale dhe financiare. Ai është shfaqur edhe në media në rolin e analistit të sigurisë kibernetike, duke ofruar komente mbi çështje me rëndësi publike.
5. Gentian Ndoj/ Oficeri i karrierës në hetimin ekonomik
Emri më i ri që është bashkuar garës është Gentian Ndoj, një oficer me mbi 25 vite përvojë në Policinë e Shtetit. Aktualisht ai mban postin e drejtorit të krimit ekonomiko-financiar në Departamentin e Policisë Kriminale dhe njihet për rekorde të rëndësishme hetimore, përfshirë drejtimin e strukturës së OFL-së (Operacioni Forca e Ligjit), e cila synonte goditjen e pasurive të krimit. Edhe pse kandidatura e tij është paraqitur në momentet e fundit të afatit, Ndoj konsiderohet si një emër me peshë në fushën e hetimit ekonomik dhe financiar. Përvoja e tij e gjatë në strukturat e hetimit e bën atë një kandidat serioz për drejtimin e një institucioni si BKH, që kërkon njohuri të thella mbi gjurmimin e pasurive, krimet ekonomike dhe marrëdhëniet me strukturat e tjera të ligjit.
Lista e plote:
Andi Pogaçe
Artur Beu
Astrit Halilaj
Elton Kërluku
Gentian Ndoi
Gentjan Shehaj
Gledis Nano
Haki Çako
Joni Keta
Maoricio Sheldija
Marinela Pilinçi
Miklovan Kanani
Nevrus Ndregjoni