Hysen Kadiu është kryetari i PD në Kavajë dhe kandidat për primaret që do të zhvillohen në këtë qytet. Sipas rregullores së partisë, ai u dorëhoq nga posti i kryetarit për të marrë pjesë në këtë garë.
Lindur dhe rritur në qytetin e Kavajës, Hysen Kadiu ka nisur angazhimin e tij politik me demokratët që në moshë shumë të re. Në drejtimin e tij, PD në Kavajë arriti të fitojë zgjedhjet lokale për kryetar bashkie, por edhe të shënojë një rezultat të lartë për demokratët. Në këto zgjedhje, Hyseni do të ketë sërish prioritet rezultatet e larta në këtë zonë.
Vitet e fundit, Kavaja përballet me problematika të shtuara, përfshirë atë të vijës bregdetare, infrastrukturën rrugore dhe lidhjen me rrugët dytësore. Si drejtues prej vitesh i PD në këtë qytet, Hysen Kadiu thotë se në Kuvendin e Shqipërisë do të angazhohet seriozisht që Kavajës t’i rikthehet administrimi i institucioneve publike, të cilat janë zhvendosur në drejtim të Durrësit dhe Tiranës, duke vështirësuar jetën e banorëve.
Gara për primaret në PD do të zhvillohet në ditët e para të marsit, duke shënuar një zhvillim interesant për listën e kandidatëve me të cilët partia më e madhe në opozitë do të përfaqësohet në zgjedhjet e 11 majit.