Proda takim me zëvendësdrejtorin e ICITAP në SHBA, në fokus konsolidimi i strukturave policore dhe rritja e kapaciteteve operacionale
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, zhvilloi një takim zyrtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me zëvendësdrejtorin e Programit ICITAP të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, zotin Steven Fields.
Në këtë takim, u vlerësua mbështetja afatgjatë dhe e gjithanshme që ICITAP i ka dhënë Policisë së Shtetit që prej vitit 1998, në një sërë fushash strategjike si: menaxhimi i kufijve, lufta kundër krimit të organizuar, ndërtimi i kapaciteteve njerëzore, përmirësimi i sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe trajnimi i vazhdueshëm i personelit policor.
Drejtori Proda theksoi se kontributi i ICITAP ka qenë thelbësor në konsolidimin dhe modernizimin e strukturave të Policisë së Shtetit. Ai përmendi veçanërisht rëndësinë e projekteve si TIMS dhe PRIMS, të cilat kanë sjellë përmirësime konkrete në kontrollin e territorit dhe në menaxhimin e të dhënave operative. Gjithashtu, u theksua roli i ICITAP në krijimin e mekanizmave kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Proda falënderoi përfaqësuesit amerikanë për investimet e konsiderueshme financiare dhe teknike që kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e kapaciteteve profesionale të Policisë shqiptare. Në përmbyllje të takimit, ai shprehu mirënjohje për besimin e vazhdueshëm dhe partneritetin e palëkundur të ICITAP, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si një model të suksesshëm për zhvillimin e institucioneve të zbatimit të ligjit në Shqipëri.