Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka shprehur kënaqësinë që publiku vlerëson sigurinë në Shqipëri në nivele të larta, me një përqindje prej 82%, që është shumë pranë mesatares së Bashkimit Europian. Këto vlerësime janë nxjerrë nga një anketim mbi perceptimin qytetar mbi nivelin e sigurisë dhe besimin në Policinë e Shtetit.
Në fjalën e tij, Proda theksoi rëndësinë e vlerësimeve të jashtme për punën e Policisë, duke shtuar se “ky proces realizohet në mënyrë të pavarur nga organizma prestigjioze”. Ai bëri të ditur se gjatë vitit 2023-2024, Policia e Shtetit ka fokusuar përpjekjet për përmirësimin e sigurisë, veçanërisht në shkolla dhe komunitet, duke përmendur edhe sfidën e menaxhimit të numrit të shtuar të turistëve në Shqipëri.
Proda gjithashtu informoi se 65% e publikut vlerësojnë punën e Policisë si të mirë ose shumë të mirë, ndërsa 64% janë të gatshëm të njoftojnë Policinë në rast shkelje. Ai shprehu synimin për të rritur edhe më tej bashkëpunimin e atyre që janë ende të hezitueshëm për të raportuar.
Një tjetër lajm i mirë ishte ulja e perceptimit të korrupsionit në radhët e Policisë, nga 74% në vitin 2013 në 53% në vitin 2024, duke theksuar ndikimin pozitiv të rritjes së pagave dhe iniciativave të tjera nga qeveria për përmirësimin e trajtimit financiar të punonjësve të Policisë.