Procedohen penalisht 5 shtetas për shkelje ligjore në liqenin e Komanit

Në kuadër të planit operacional “Komani”, janë zhvilluar kontrolle intensive nga Policia e Shkodrës, me qëllim garantimin e sigurisë për qytetarët dhe turistët, si dhe lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme.

Gjatë këtij operacioni, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vau i Dejës, kanë konstatuar disa shkelje ligjore në zonën e kalatës dhe liqenit të Komanit.

Këto persona, transportonin vizitorë me varkë në liqenin e Komanit pa e regjistruar këtë aktivitet në organet tatimore;

Si rezultat, u proceduan penalisht 5 shtetas:

  • R. N., 24 vjeç, i cili ushtronte aktivitet transporti turistësh me varkë pa regjistrim në organet tatimore;
  • L. M., 36 vjeç dhe E. Q., 50 vjeç, të cilët transportonin vizitorë me varka pa lëshuar kuponë tatimorë;
  • Z. D., 70 vjeç dhe F. D., 48 vjeç, të cilët kishin zënë një pronë publike dhe e kishin shndërruar në vend parkimi me pagesë, në kundërshtim me ligjin.

Prokuroria ka nisur procedimet penale për veprat:

“Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore”;

“Moslëshimi i kuponit tatimor”;

“Fshehja e të ardhurave”.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër njofton se kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë për të parandaluar çdo veprim që cenon sigurinë, rendin dhe hapësirat publike në zonat turistike.

NJOFTIMI I POLICISË:

Zhvillohen kontrolle në zbatim të planit operacional “Komani”, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë për qytetarët dhe turistët, lirimin e hapësirave të zëna në mënyrë të kundërligjshme dhe verifikimin e aktiviteteve ekonomike që kryhen në zonë.

Procedohen penalisht 5 shtetas, pasi u kapën në flagrancë duke kryer aktivitete në kalatën dhe në liqenin e Komanit, në kundërshtim me ligjin.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në zbatim të planit operacional “Komani”, kanë ushtruar kontrolle në kalatën dhe në liqenin e Komanit, për verifikimin e aktiviteteve që kryhen në këto hapësira.

Nga kontrollet u konstatua se:

– shtetasi R. N. transportonte vizitorë, me varkë, në liqenin e Komanit, pa e regjistruar këtë aktivitet në organet tatimore;

– shtetasit L. M. dhe E. Q., po trasnportonin secili, 50 vizitorë, me varka, në liqenin e Komanit, pa i pajisur ata me kuponë tatimorë për këtë shërbim;

-shtetasit Z. D. dhe F. D. kishin zënë një pronë publike dhe e kishin kthyer në vend për parkimin e automjeteve, me pagesë.

Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, u refruan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal ndaj shtetasve Z. D., 70 vjeç, F. D., 48 vjeç, R. N., 24 vjeç, L. M., 36 vjeç dhe E. Q., 50 vjeç.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore”, “Moslëshimi i kuponit tatimor”, “Fshehja e të ardhurave”.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër do të vijojë kontrollet për të ndaluar çdo shkelje që cenon hapësirat publike dhe sigurinë e pushuesve. Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112.