Probleme me votimin e diasporës në Greqi, sportelet qëndrojnë hapur edhe gjatë fundjavës

Në prag të zgjedhjeve, problemi me votimin e diasporës në Greqi ka krijuar shqetësim në radhët e partive politike shqiptare. Si demokratët, ashtu edhe socialistët, janë angazhuar në mënyra të ndryshme për të adresuar ngërçin dhe për të nxitur pjesëmarrjen e emigrantëve në procesin zgjedhor.

Partia Demokratike ka shprehur zyrtarisht shqetësimet e saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke ngritur pikëpyetje mbi efikasitetin e shpërndarjes së fletëve të votimit. Ndërkohë, Partia Socialiste ka intensifikuar praninë në terren, duke i bërë thirrje votuesve të saj të marrin dhe të dorëzojnë personalisht votën pranë zyrave të postës.

Ministri i Brendshëm dhe njëkohësisht i deleguari i PS për çështjet e diasporës, Taulant Balla, vizitoi këtë të shtunë një nga zyrat ku shpërndahen fletët e votimit, për të monitoruar nga afër situatën.

Kompania që ka marrë përsipër shpërndarjen e zarfeve ka vendosur të mbajë sportelet hapura edhe ditët e fundjavës, për të përshpejtuar procesin dhe për të garantuar që votat të mbërrijnë në kohë.

Disa emigrantë zgjedhin t’i dorëzojnë personalisht zarfeve në sportele, ndërsa të tjerë preferojnë t’i marrin në shtëpi, për të votuar me qetësi dhe për të vendosur më pas se cilin subjekt do të mbështesin.