Pritej të mbërrinin sot, shtyhet për nesër ardhja e 40 emigrantëve në Shëngjin

Pritej të mbërrinin sot në Portin e Shëngjinit dy anije me emigrantë nga Itali, por për arsye ende të paqarta u anulua ardhja e tyre. Anija e parë ishte parashikuar të mbërrinte në orën 15:00 me 15 emigrantë dhe e dyta rreth orës 19:00 me 25 emigrantë si pjesë e marrëveshjes Shqipëri-Itali. Afati maksimal i qëndrimit në qendrën e Gjadrit do të jetë 18 muaj.

Në një tentativë për t’i hapur qendrat, më 28 mars, qeveria italiane miratoi një dekret të ri, i cili e lejon përdorimin e këtyre strukturave për të strehuar emigrantë pa dokumente që ndodhen aktualisht në Itali, dhe ndaj të cilëve është lëshuar urdhër dëbimi.

Deri më tani qendrat pritëse ishin bosh, pasi në nëntor emigrantët, dhe pjesa më e madhe e policëve italianë, punonjësve socialë dhe organi drejtues i qendrave në Shqipëri për riatdhesimin e emigrantëve u larguan nga Gjadri. Vendimi erdhi pas bllokimit të njëpasnjëshëm të Gjykatës së Romës për mbajtjen e emigrantëve në qendrën e Gjadrit.

Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga të dyja parlamentet ndërsa në vendin tokë u kërkua edhe një aprovim i gjykatës kushtetuese. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatët nga territori shqiptar. Por deri më tani qendrat janë bosh.