“Prioritet edhe krimet zgjedhore”/ Drejtori i Policisë porosit efektivët: Asnjë tolerim për shkelësit e ligjit gjatë fushatës elektorale!

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka dhënë porosi të qarta për efektivët e Policisë gjatë analizave vjetore të strukturave policore në qarqet Vlorë dhe Fier. Në prani të drejtuesve të Prokurorive, Gjykatave dhe Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), ai kërkoi angazhim maksimal për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë fushatës elektorale.

Proda theksoi se efektivët duhet të zbatojnë me përpikëri dhe paanshmëri ligjin zgjedhor, duke qëndruar larg çdo ndikimi politik. “Cilido që cenon imazhin e Policisë së Shtetit do të largohet menjëherë nga radhët e saj,” paralajmëroi ai.

Gjithashtu, kreu i Policisë vendosi theksin te krimet zgjedhore, duke i cilësuar si prioritet për strukturat e hetimit të krimit. Ai kërkoi vigjilencë dhe ndëshkim të menjëhershëm për çdo paligjshmëri që cënon procesin zgjedhor dhe integritetin e Policisë së Shtetit.