Prindërit e Ilaria Sulës shokohen nga letra e vrasësit, refuzojnë faljen: Na kthe vajzën dhe do ta pranojmë…
Familja e 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula, e vrarë mizorisht nga ish-i dashuri i saj, Mark Samson, ka reaguar pas letrës së ndjesës që ky i fundit dërgoi nga burgu. Prindërit e viktimës, Flamur dhe Gëzime Sula, i janë përgjigjur drejtpërdrejt autorit të krimit me një mesazh të fortë: “Na kthe vajzën tonë Ilaria dhe ne do të pranojmë faljen.”
Mark Samson, i cili ndodhet në një qeli në burgun e Rebibbias për vrasjen dhe fshehjen e trupit të Ilaria Sulës, kishte shprehur në letrën e tij se ishte gati të paguante për mëkatet që kishte bërë, duke theksuar se ndihej i penduar për veprimin mizor që kishte kryer.
Por letra e tij është pritur me tronditje dhe dhimbje të thellë nga familja shqiptare që jeton në Terni. Avokati i familjes, Giuseppe Sforza, deklaroi se prindërit e Ilarias e përjetuan mesazhin si një plagë të re:
“Më thanë se nuk do të pranojnë asnjë justifikim. Është një dhimbje e dytë për ta. Ndonjëherë heshtja është zgjidhja më e mirë. Përballë asaj që bëri, të paktën duhet të kishte treguar respekt për familjen.”
Dhimbja e babait të Ilarias, Flamurit, u shpreh qartë në fjalët e tij të fundit pranë arkivolit të së bijës:
“Vajza ime nuk e meritonte këtë fund, ishte një vajzë e artë, ishte një engjëll. Nuk e di, kush e bëri ka qenë shumë trim. Vajza ime nuk ishte objekt, nuk ishte një palë këpucë, nuk ishte një xhup – nuk duhej hedhur kështu. Ai duhet të kalbet në burg gjithë jetën.”
Trupi i pajetë i Ilaria Sulës u gjet i futur në një valixhe dhe i hedhur në një zonë shkëmbore në Bashkinë Poli, pas zhdukjes së saj më 25 mars. Ndërkohë, hetimet vijojnë, përfshirë edhe nënën e Samson, e dyshuar për bashkëpunim në fshehjen e trupit.