Princ Leka drejt martesës me partneren e re pas divorcit me Elia Zaharinë! Pas dëbimit për dhunë do zhvillohet një ceremoni private
Pas një periudhe të trazuar personale dhe ligjore, Princ Leka Zogu ka nisur një kapitull të ri në jetën e tij personale. Pas gati dy vitesh lidhje me fotografe Blerta Celibashin, trashëgimtari i fronit mbretëror po planifikon martesën e tij të dytë, e cila do të jetë një ceremoni private, larg bujës së eventit të parë.
Ky vendim vjen vetëm pak ditë pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila dënoi Princ Lekën me 16 muaj shërbim prove për ushtrim dhune ndaj ish-bashkëshortes së tij, Elia Zaharia, dhe babait të saj, Gjergj Zaharia. Pavarësisht sfidave ligjore dhe vëmendjes mediatike, Leka dhe Blerta kanë vijuar jetën e tyre, duke u shfaqur publikisht së bashku në disa aktivitete, përfshirë ceremoninë e 105-vjetorit të Kongresit të Lushnjës.
Princi dhe partnerja e tij, Blerta Celibashi, kanë zgjedhur të mbajnë një profil të ulët për planet e tyre martesore, por burime pranë çiftit konfirmojnë se ata po bëhen gati për të kurorëzuar lidhjen e tyre. Ndryshe nga martesa e parë me Elia Zaharinë, e cila tërhoqi vëmendje ndërkombëtare, ceremonia me Blertën do të jetë intime, me pjesëmarrjen e rrethit të ngushtë familjar dhe miqve të afërt.
Divorci me Elia Zaharinë u finalizua në prill 2024, me një marrëveshje që i dha aktores disa prona të vlefshme, përfshirë një apartament 257 m², një dyqan dhe një vend parkimi. Gjithsesi, Elia do të humbasë të drejtat mbi këto prona nëse martohet apo nis një bashkëjetesë të re para se vajza e tyre, Geraldina, të arrijë moshën madhore.
Në një postim të fundit, Leka dhe Blerta u shfaqën në një event të organizuar në Lushnjë, ku Blerta shoqëronte partnerin e saj në takimet me qytetarët, duke treguar qartë që marrëdhënia e tyre është tashmë publike dhe stabile.
Me këtë hap të ri në jetën personale, trashëgimtari i fronit mbretëror duket i vendosur të lërë pas të kaluarën dhe të përqendrohet në ndërtimin e një të ardhmeje të re me partneren e tij.