Observatori i Feminicidit/ Balla: Gratë dhe vajzat që dhunohen, denoncimi të konsiderohet çlirim dhe liri
Ditën e sotme është mbajtur një konferencë për prezantimin e Observatorit të Feminicidit në Shqipëri ku i pranishë ishte dhe Ministri Brendshëm, Taulant Balla ku fillimisht bëri një urim të gjitha gratë dhe vajzat, më tej bëri një thirrje për të gjitha femrat që janë subjekt i dhunës duhet ta konsiderojnë ditën e denoncimit si ditën e çlirimit. Si ditën e lirisë së vet dhe fillimit të një jete shumë më të mirë se ajo që mundohet të kalojë në agoninë e përditshme.
Fjala e Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla në konferencën për prezantimin e Observatorit të Feminicidit në Shqipëri:
Së pari, më lejoni që t’u uroj të gjitha grave dhe vajzave sot këtu në këtë tryezë, “gëzuar 8 marsin”, edhe përmes kamerave të gjitha grave dhe vajzave shqiptare, edhe pse t’ju them të drejtën urimi për 8 marsin duket disi i çuditshëm në kuptimin që 8 marsi duhet të jetë një ditë proteste, dhe, më shumë se kaq, duhet të jetë një ditë ndërgjegjësimi publik.
Dhe ne burrat duhet të shohim çdo ditë viti 8 mars, nëse duam që të jemi pikërisht ajo që sot ka nevojë mbarë shoqëria për një ndërgjegjësim më të madh.
Unë e kam thënë shpesh që për mua duket e pa pranueshme që të mblidhemi gjatë festës së 8 marsit, apo të mblidhemi në ditën apo 16-ditëshit ndërkombëtar për eleminimin e dhunës ndaj grave.
Jemi në kushtet që mendoj që ky duhet të jetë debat publik i përditshëm kur i referohem dhe shifrave.
Në detyrën e ministrit të Brendshëm jam i detyruar t’i referohem dhe shifrave, dhe ndaj shqetësimin se kemi të bëjmë me një fenomen feminicidi shqetësues në Shqipëri.
Gjatë vitit 2023 kemi pasur 12 jetë të humbura grash dhe vajzash në gjithë territorin e vendit. Dhe në këtë aspekt, edhe pse Erinda foli me vlerësim për punën e deritanishme, mendoj që Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese; kemi një bashkëpunim shumë të mirë me prokurorinë e Tiranës, se shikoj këtu drejtuesin e prokurorisë së Tiranës, dhe me Prokurorin e Përgjithshëm, por na duhet të kalojmë një nivel tjetër reagimi ndaj të gjitha rasteve.
Dhe kjo ka të bëjë me hartimin, sikurse drejtori i Tiranës mund t’ua konfirmojë, të një protokolli të ri të marrëdhënies dhe kontaktit të parë të shtetit me viktimën e dhunës.
Mos e harroni asnjëherë që pjesa më e madhe e vajzave dhe grave që janë subjekt i dhunës, hezitimin e parë e kanë nga stigma që krijohet në komunitet. Dhe kam pasur rastin ta identifikoj personalisht edhe qasjen e vjetër që kishte shteti në marrëdhënie me viktimën.
Ai rasti kur thuhet, po shiko se kjo gjë do bëhet publike, po familja, po ç‘do thotë lagja, fisi, krushqit!? Dhe kjo gjë duhet ndryshuar.
Unë do bëj ç‘është e mundur që këtë gjë ta ngremë të gjithë së bashku, dhe t’i themi të gjitha vajzave dhe grave që dhunohen, që ta konsiderojnë ditën e denoncimit si ditën e çlirimit. Si ditën e lirisë së vet dhe fillimit të një jete shumë më të mirë se ajo që mundohet të kalojë në agoninë e përditshme.
Dhe më lejoni të kthehem prapë te shifrat. Kemi dy muaj në 2024 janar-shkurt; kemi 629 vajza dhe gra që kanë denoncuar dhunë. Dhe në 890, që është numri i përgjithshëm i rasteve të dhunës brenda në familje. Pra është një raport 3-1 i dhunës së ushtruar ndaj vajzave dhe grave dhe pjesa tjetër.
Dhe po ashtu dhe elementi tjetër i një analize me shifra të këtij fenomeni, është pjesa që lidhet me urdhrat e mbrojtjes. Edhe këtu dua ta them se kemi një panoramë trishtuese. Pse e them këtë?! Sepse janë 465 të dëmtuar, që kanë marr urdhra mbrojtje, nga të cilat 350 janë vajza dhe gra. Pra nuk ka asnjë dyshim që nga këto të dhëna statistikore, – dhe nuk po vazhdoj – me pjesa më e prekur, janë vajzat dhe gratë.
Po ashtu një element tjetër janë krimet seksuale nga të cilat kemi 125 në total, prej të cilave 103 janë gra dhe vajza. Mos harroni asnjëherë se këto shifra që unë po ndaj sot me ju, janë thjeshtë dhe vetëm maja e ajsbergut. Pjesa tjetër nuk denoncohet ende.
Ne mund të mblidhemi çdo ditë në tryezat e hoteleve, por të mos harrojmë asnjëherë që na duhet të dalim përtej sallave. Mendoj që ka ardhur koha për të krijuar një koalicion kombëtar, pa dallime institucionale, pa karriget, të cilat populli na ka deleguar t’i mbajmë, por na duhet që të dalim dhe të flasim në territor, me mesazhin që ka ardhur momenti që ta zvogëlojmë, ndoshta nuk i japim dot fund, por ta zvogëlojmë këtë fenomen.
Bie tërësisht dakord me Avokaten e Popullit, feminicidi është forma më e rëndë e kriminalitetit. Prandaj dua që të lartësoj sot vajzat dhe gratë që marrin përsipër të denoncojnë dhunën. Ato janë heroinat e shoqërisë sonë dhe po ashtu na takon ne që të kujdesemi për këto heroina, për këto vajza dhe gra që denoncojnë dhunën dhe madje ta përmirësojmë përkujdesjen. Jam vetë ofruar në cilësinë e ministrit të Brendshëm ndaj të gjitha organizatave jo qeveritare, që të vëmë në dispozicion apartamente, të cilat i kemi konfiskuar dhe vazhdojmë të konfiskojmë nga krimi dhe korrupsioni për t’i vënë në dispozicion të vajzave dhe grave të dhunuar. Për t’u dhënë mundësinë dhe për t’i thënë që çfarë meraku ke? Ke merak se do mbetesh pa shpi? Denoncoje dhunën dhe ne do jemi aty për t’u gjendur me një apartament shumë më të mirë se ai që kishe me atë bashkëshortin dhunues.
Dhe jeni të mirëpritura të gjitha organizatat qeveritare që jeni këtu që të vini me propozime konkrete. Agjencia e Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara do t’ju mbështesë natyrshëm duke parë edhe vlerësuar projektin dhe duke ftuar partnerët dhe donatorët që ta bëjmë së bashku një projekt të tillë.
Gjëja tjetër që na duhet është të fillojmë të kemi programe kundër dhunës me bazë gjinore të cilat të trajtojnë jo vetëm pasojat e dhunës. Kjo është një gjë, por mendoj që duhet të shkojmë te shkaqet, për të mundësuar parandalimin në kohë të këtyre krimeve makabre. Prandaj na duhet të kemi të gjithë së bashku, në kuadër të këtij koalicioni, që nuk është koalicioni partish, se këto i kemi anuluar me kushtetutë. Por na duhen edhe reforma legjislative, qoftë në rrafshin substancial, por edhe procedural, na duhet edhe ndërgjegjësim shoqëror, edhe një përpjekje më e madhe e jona, e ekzekutivit; këtu është policia, prokuroria, sa i përket zbatimi të fortë të ligjit.
Dua t’ju informoj që Policia e Shtetit ka marrë një sërë në këtë aspekt. Po ashtu i kemi u kemi dhënë përparësi programeve të trajnimit dhe të sensibilizimit për oficerët e policisë. Kur kam pyetur një vajzë në një spital të Shqipërisë, pasi ishte dhunuar; – e pyeta: po policia çfarë tha kur ty të morën në pyetje? – ajo u përgjigj: Të them të drejtën, në fillim, punonjësi i policisë më tha, shiko mos gjen gjuhën e përbashkët me atë dhunuesin!
Natyrshëm, ai punonjës policie nuk është më në Policinë e Shtetit.
Problemi është që ne duhet të vazhdojmë që të trajnojmë; dhe këtu është i mirëpritur edhe roli i pazëvendësueshëm i Avokatit të Popullit, i Komisionerëve, për të vazhduar këtë proces trajnimi.
Unë mendoj që na duhen më shumë mbështetje në aspektin e trajnimit dhe sa i përket raportimit e denoncimit të rasteve të dhunës, në mënyrë që të kuptojë edhe komuniteti. Nëse nuk raporton viktima, kemi pasur raste kur dhunën e ka raportuar fqinji. Flas për një nga rastet e fundit në Tiranë dhe po ju them se kam vajtur personalisht ta falënderoj fqinjin!
Besoj se biem dakord, që edhe ne, dmth., komshijtë themi se “hë mo se punë e tyre, ç‘punë kemi ne!” Kështu që në këtë aspekt duhet të nxisim komunitetin. Nëse përfshijmë në këtë koalicion kombëtar komunitetet, keni për të parë se do të kemi shumë e më shumë raste të denoncuara.
Dua që kjo tryzë t’i shërbejë një nisme që kemi ndërmarrë, pasi u gjendëm para një akti, kur një viktimë e dhunës, nuk ia doli dot të përballej me makthin e përditshëm dhe u vetëvra; të iniciojmë një ligj. Dikush do të thotë, shiko ministër se ligjet janë. Dhe në fakt Shqipëria mund të hyjë ndër vendet që kanë një evazion ligjesh, pra që i bëjmë dhe nuk i zbatojmë siç duhet, pra i kemi aty ligjet. Por unë e kam merakun te pjesa që s’e kemi fare dhe që bota e quan “cyber bulling law”. Pra kemi një situatë që pjesën e dhunës që ndodh online e kemi të pambuluar me ligj.
Kam identifikuar disa forma të dhunës. E parë është përndjekja kibernetike; nuk ekziston fare në legjislacionin tonë. Ngacmimi kibernetik; bota e quan cyber harassment. Dhe sa raste, përmendi edhe Avokatja, psh., edhe rasti i Durrësit, ishte i këtij lloji. Pra dikush krijoi një cyber bulling apo ngacmim kibernetik dhe viktima nuk ia doli dot të shpëtonte nga stigma.
Gjuha e urrejtjes në internet, nxitja e dhunës përmes urrejtjes, abuzimi me imazhin intim pa vullnetin e palës, shantazhimi seksual. Pastaj janë një sërë termash që nuk ia gjejmë dot në shqip, psh., “trolling”, një akt i qëllimshëm i joshjes, se hyn në diskutime të padobishme dhe pastaj bie pre. Dhe sa vajza e gra raportojnë çdo ditë në DVP Tiranë për disa kanale të çuditshme që hapen në “Telegram” apo në rrjete sociale, për të cilat ne kemi filluar të bëjmë një punë, kemi vendosur më në fund disa kontakte të dobishme me kompanitë më të mëdha të rrjeteve sociale; me TikTok, presim me kompaninë META që zotëron Facebook, Instagram, Snap chat etj.. Këtë gjë duhet ta kemi në vëmendje të posaçme për t’i adresuar dhe mendoj se edhe kjo tryezë e sotme është e mirëpritur dhe e ftuar që të na kontribuojë në një punë që nuk mund ta bëjmë dot vetëm Avokate, por duhet ta bëjmë me të gjitha palët në mënyrë që të kemi edhe ne një ligj. Kemi konsultuar legjislacion të huaj, ka vende që e kanë bërë ndërkohë. Rumania kishte një ligj shumë të mirë për cyber bulling, të përafruar plotësisht me disa rekomandime që vijnë edhe nga KE. Përfitoj nga rasti që këtu kam edhe kolegen time Etildën që tashmë është raportuese për dhunën ndaj grave në Asamblenë Parlamentare të KE-së; në mënyrë që t’i marrim të gjitha këto e të përmirësojmë legjislacionin që të kontribuojmë sa të mundemi për ta kthyer vëmendjen e shoqërisë sonë në këtë fenomen.
Duke qëndruar të gjithë bashkë, edhe ne burrat përkrah jush, të përçojmë një mesazh për të gjitha gratë e vajzat, që duhet ta shfaqin fuqimisht potencialin e tyre për të ndërtuar të gjithë së bashku një të ardhme më të mirë, pa dhunë dhe të mos lejojmë asnjë lloj justifikimi ndaj asnjë lloj forme dhunë ndaj grave, vajzave e çdo lloj forme tjetër të dhunës me bazë gjinore.