Presidentja Vjosa Osmani pritet me ngrohtësi nga Rama, mesazh për BE: Përtej fjalëve të bukura, duhet të ketë veprime konkrete
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbërritur në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Europian, ku u prit ngrohtësisht nga kryeministri Edi Rama. Takimi mes tyre, i zhvilluar në tapetin e kuq para godinës së Operës, u shoqërua me përqafime dhe buzëqeshje, duke reflektuar lidhjet e ngushta mes dy vendeve shqiptare në rajon.
Gjatë një deklarate për mediat, Osmani theksoi rëndësinë e përparimit të Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke kritikuar disa prej shteteve anëtare për pengesat që kanë vonuar këtë proces.
“Më me rëndësi se sa bisedimet me Serbinë janë ato ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Siç e dini, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE para dy vitesh, por për fat të keq ende nuk është shqyrtuar për shkak të disa komplikimeve të panevojshme politike që krijohen nga disa shtete anëtare. Ka ardhur koha që përtej fjalëve të bukura që i jepen shteteve aspiruese për anëtarësim, të ketë veprime konkrete,” tha Osmani.