Presidentit Vuçiç i përkeqësohet gjendja shëndetësore në SHBA, ndërpret vizitën dhe kthehet në Serbi
Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i është përkeqësuar gjendja shëndetësore gjatë një vizite zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po qëndronte në New York për takime me zyrtarë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të Kombeve të Bashkuara.
Sipas burimeve të gazetës “Blic”, Vuçiç ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe pas ekzaminimeve, ka vendosur të ndërpresë menjëherë vizitën dhe të rikthehet në Serbi.
Në momentin e përkeqësimit të gjendjes së tij, presidenti serb ndodhej në shoqërinë e ministrit të Financave, Sinisha Mali, dhe këshilltares për media, Suzana Vasiljeviq.
Kabineti i Presidentit të Serbisë ka konfirmuar rastin, duke njoftuar se opinioni publik do të informohet në detaje gjatë ditëve në vijim lidhur me gjendjen shëndetësore të Vuçiç.
Detajet mbi natyrën e saktë të shqetësimeve mbeten ende të panjohura, por burime të afërta bëjnë me dije se gjendja e tij është aktualisht e qëndrueshme dhe nën mbikëqyrje mjekësore.