Presidenti turk reagon për sulmet amerikane ndaj Iranit! Erdogan: Ne nuk i miratojmë goditjet ndaj Teheranit

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka reaguar për herë të parë pas sulmeve ajrore dhe raketore të Shteteve të Bashkuara mbi objektet bërthamore të Iranit, duke dënuar ashpër goditjet dhe duke theksuar se Turqia nuk i miraton sulmet ndaj sovranitetit të Iranit dhe sigurisë së rajonit.

“Nuk i miratojmë sulmet ndaj sovranitetit të rajonit tonë dhe shprehim kundërshtimin tonë, pavarësisht se nga vijnë,” tha Erdogan gjatë një aktiviteti të sindikatës së nëpunësve civilë në Ankara, duke mos përmendur drejtpërdrejt SHBA-të ose Donald Trump.

Ai theksoi se Turqia është angazhuar që nga 7 tetori në mbështetje të palestinezëve dhe kundër sulmeve të Izraelit dhe aleatëve të tij. “Po bëjmë përpjekje të forta që sulmet e Izraelit dhe mbështetësve të tij kundër Iranit të mos çojnë në një katastrofë edhe më të madhe,” u shpreh ai.

Erdogan njoftoi gjithashtu se më 24 qershor do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s në Hagë, ku do të diskutojë për situatën në rajon dhe do të vazhdojë përpjekjet për shmangien e “fatkeqësive të pariparueshme”.

“Ne po përpiqemi ta çojmë vendin tonë nga ujërat e trazuara në ujërat e qeta. Ne nuk veprojmë bazuar në politika të përkohshme, por duke parashikuar rreziqet e fshehura. Ne e bëmë dhe do ta bëjmë në mënyrë që asnjë nga 86 milionë qytetarët tanë të mos dëmtohet,” theksoi presidenti turk.