“Presidenti na gënjeu” – skandali me kriptomonedhat ndez përleshje në parlamentin e Argjentinës

Një përleshje e dhunshme shpërtheu në parlamentin e Argjentinës, teksa ligjvënësit po debatonin mbi skandalin e madh të kriptomonedhës $LIBRA, e cila u promovua nga vetë presidenti Javier Milei dhe më pas pësoi një kolaps të menjëhershëm, duke shkaktuar humbje prej 250 milionë dollarësh për investitorët.

Debati degjeneroi në dhunë, kur dy ligjvënës nga partitë kundërshtare, Oscar Zago nga Movimiento de Integracion y Desarrollo dhe Lisandro Almiron nga partia e Mileit, LLA, filluan të bërtasin dhe të përlesheshin fizikisht. Sherri u përhap me shpejtësi, duke përfshirë edhe politikanë të tjerë, çka detyroi kryetarin e Dhomës së Deputetëve, Martin Menem, të mbyllë seancën para kohe.

Skandali shpërtheu pas një postimi të Mileit në platformën X më 14 shkurt, ku ai promovoi kriptomonedhën $LIBRA dhe e cilësoi si një shenjë të besimit të investitorëve te ekonomia argjentinase. Pas një rritjeje të shpejtë, vlera e saj u shemb brenda orëve, duke shkaktuar humbje masive. Milei e fshiu postimin më vonë, duke pretenduar se nuk ishte në dijeni të detajeve të projektit.

Opozita ka kërkuar shkarkimin e presidentit, duke e akuzuar për manipulim dhe mashtrim të qytetarëve. Skandali ka tronditur edhe më shumë skenën politike të Argjentinës, e cila tashmë ndodhet në një krizë të thellë ekonomike.