Presidenti i përkohshëm sirian në vizitën e tij të parë zyrtare në Evropë/ Ahmed al-Sarrah do të takohet me Macron më 7 maj
Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sarrah, i cili mori detyrën pas rrëzimit të Bashar al-Assad në dhjetor 2024, do të zhvillojë nesër (7 maj) vizitën e tij të parë zyrtare në Evropë. Destinacioni i parë është Franca, ku ai do të pritet në Pallatin Élysée nga presidenti francez Emmanuel Macron, raporton Reuters.
Kjo vizitë konsiderohet një hap historik në përpjekjet për rindërtimin e marrëdhënieve diplomatike të Sirisë me Perëndimin, pas një dekade izolimi ndërkombëtar. Sipas burimeve nga presidenca franceze, Macron do të riafirmojë mbështetjen e Francës për krijimin e një “Sirie të re, të lirë, të qëndrueshme dhe sovrane”, që respekton të gjitha grupet përbërëse të shoqërisë siriane.
Pritet që në qendër të diskutimeve mes dy liderëve të jetë mbështetja ndërkombëtare për tranzicionin demokratik në Siri, ndihma humanitare për rajonet e shkatërruara nga lufta dhe angazhimi për ruajtjen e stabilitetit në rajon.