Presidenti i FSHF Armand Duka kërkon postin e rëndësishëm në UEFA

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka rikandiduar për një tjetër mandat si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Numri 1 i futbollit shqiptar gjendet në mesin e kandidatëve për të qënë në mesin e vendimmarrësve në Federatën Europiane të Futbollit. Presidenti Duka kërkon mandatin e dytë në këtë post pas fitores në kongresin e shkurtit të vitit 2019.

Në garë janë 13 kandidatë për 9 vende, mes të cilëve edhe presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Rubiales, edhe ai anëtar që prej shkurtit 2019, danezi Christensen, francezi Diallo, gjeorgjiani Kobiashvili e të tjerë.

Në njoftimin e UEFA-s thuhet se të gjithë kandidatët kanë kaluar me sukses kontrollin e përshtatshëm për të kryer detyrën nga një kontroll i përbërë nga anëtarët e Komitetit të Qeverisjes dhe Pajtueshmërisë së UEFA-s. Ndërkaq, në kongresin e 47 që mbahet më 5 prill, rikonfirmimi i Aleksander Ceferin si president i UEFA-s është thjeshtë një formalitet, pasi ai gjendet i vetëm në garë. Ceferin drejton institucionin kryesor të futbollit Europian që prej vitit 2016, duke pasuar në këtë pozicion, Mishel Platini.