Presidenti i Emirateve të Bashkuara viziton Tiranën, Rama: Krenar që Shqipëria mikpret miq si Sheiku Mohamed bin Zayed Al Nahyan

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Sheiku Mohamed bin Zayed Al Nahyan, mbërriti sot për herë të parë në Shqipëri, në një vizitë zyrtare historike që shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale shprehu krenarinë për këtë vizitë, duke e cilësuar si një ngjarje të jashtëzakonshme dhe një dëshmi të partneritetit në rritje mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara.

“Jam shumë krenar që Shqipëria sot mikpret miq si Sheiku Mohamed bin Zayed Al Nahyan, diçka që disa vite më parë as mund të imagjinohej,” – shkroi Rama.Kryeministri theksoi se kjo vizitë shënon një “gur kilometrik” në marrëdhëniet dypalëshe, duke vendosur bazat për një partneritet të qëndrueshëm që është forcuar ndjeshëm kohët e fundit.

Programi i bashkëpunimit përfshin:
• Monitorimin e rrugëve dhe shkollave përmes teknologjisë së lartë,
• Krijimin e një ndërmarrjeje të përbashkët për letrat me vlerë, që synon të rrisë mundësitë e investimeve ndërkombëtare në Shqipëri.

Një vizitë me rëndësi të madhe diplomatike

Kjo vizitë konsiderohet si një nga më të rëndësishmet në diplomacinë shqiptare të viteve të fundit, duke thelluar bashkëpunimin në fusha të ndryshme si infrastruktura, arsimi dhe investimet ekonomike.

Kryeministri Rama shtoi se kjo është një mundësi për të vendosur “të tjera piketa që bazohen tek interesat e përbashkëta”, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve me një nga vendet më të fuqishme ekonomikisht në rajonin e Gjirit.

Vizita e Sheikut Mohamed bin Zayed pritet të sjellë projekte të reja bashkëpunimi dhe të forcojë lidhjet mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara në një nivel më të lartë strategjik.