Presidenti Duka “parakalon” Milanin, emëron Igli Taren drejtor sportiv
Ish-futbollisti i njohur shqiptar, Igli Tare, ka marrë një tjetër hap të madh në karrierën e tij profesionale. Ai është emëruar drejtor sportiv i klubit legjendar italian, Milan, një lajm i konfirmuar të premten nga kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, pasi Milan ende nuk e ka zyrtarizuar.
Pas një periudhe bisedimesh intensive, Tare më në fund ka arritur marrëveshjen që e rikthen në qendër të futbollit italian, këtë herë në një nga klubet më të mëdha dhe më me histori në botë.
“Urime Igli! Emërimi yt si Drejtor Sportiv i klubit të Milanit është një arritje me peshë të madhe. Jam i bindur se përvoja jote, përkushtimi dhe vizioni që të karakterizojnë do të kontribuojnë në rikthimin e Milanit në majat ku i takon të jetë”, ka shkruar kreu i futbollit shqiptar.
Tare, tashmë 51 vjeç, ka një histori të gjatë suksesi në futbollin italian. Për 15 vite me radhë ai mbajti postin e drejtorit sportiv te Lazio, ku u vlerësua për ndërtimin e një skuadre konkurruese dhe për aftësinë në zbulimin e talenteve.