Presidenti Begaj mirëpret Samitin e SEECP: Bashkëpunimi rajonal është çelësi i stabilitetit dhe prosperitetit
Nën kryesimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, u zhvillua sot në Tiranë Samiti i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), ku morën pjesë liderët e vendeve anëtare të këtij formati.
Presidenti Begaj mirëpriti në këtë takim Presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar; Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatovic; Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani; Kryetaren e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Željka Cvijanović; Presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova dhe Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, i cili do të marrë kryesimin e radhës të SEECP-së për vitin e ardhshëm.
Gjithashtu, Kreu i Shtetit u uroi mirëseardhjen Kryeministrit të Serbisë, Đuro Macut; Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm të Moldavisë, Mihai Popşoi; Ministrit të Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan; Ministrit të Jashtëm të Rumanisë, Emilian Horatiu Hurezeanu; Zëvendësministres greke të Jashtme, Alexandra Papadopoulou, dhe Sekretarit të Shtetit për Çështjet Politike të Kroacisë, Frano Matušić.
Në samit morën pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanović, dhe Shefi i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato. Presidenti Begaj i përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe orientimin drejt integrimit evropian si rrugë për stabilitet dhe prosperitet për të gjithë rajonin.