Premtimi i kreut të PD, Sali Berisha: Shteti do marrë përsipër pagesën për fëmijën e tretë, të plotë nga lindja deri 23 vjeç me çdo lloj shpenzimi

Kreu i PD Sali Berisha ka theksuar angazhimin për të mbështetur familjet dhe për të inkurajuar lindjen, duke premtuar shpërblime për çdo fëmijë, të cilat do të jenë në përputhje me të ardhurat e familjes.

Ditën e sotme, ai ka bërë të ditur se, për qëllime demografike shteti do të mbulojë të gjitha shpenzimet për fëmijën e tretë, duke filluar nga lindja deri në moshën 23 vjeçare.

“Pa diskutim që do vendosim së pari shpërblimin për çdo fëmijë. Ky shpërblim do jetë në proporcion me të ardhurat e familjes.
Së dyti, nuk mund të them me paketën e parë, por për qëllime strikt demografike, shteti do marrë përsipër pagesën për fëmijën e tretë, të plotë nga lindja gjer 23 vjeç me çdo lloj shpenzimi. Dhe kjo është faktuar që jep efekte.
Vendet që e kanë vendosur këtë praktikë, dhe në qoftë se ka një vend në Europë që e ka jetike këtë praktikë sot me këtë zbrazje të tmerrshme që i krijuan vendit, është Shqipëria.
Fëmija i tretë i paguar nga shteti është një nga rrugët, përveç rikthimit të emigracionit, një nga rrugët e domosdoshme për ripopullimin e Shqipërisë. Shqipëria po shpopullohet, po ikin të gjithë, po mbesin trafikantë dhe hajdutë me Edi Ramën në krye” tha Berisha.