Prej katër ditësh i zhdukur, familjarët e Edison Oruqit kërkojnë ndihmë: Ishte duke punuar në lumin e Shalës

Prej 4 ditësh, Edison Oruqi, babai i 3 fëmijëve, banues në lagjen “Kiras” në Shkodër, është zhdukur pa gjurmë.

Ai ka qenë duke punuar në lumin e Shalës, kur ka humbur kontaktet me familjen. Zhdukja e tij është e mistershme, pasi bashkëpunëtori i tij dhe familja thonë se Edisoni për herë të fundit ka qenë duke punuar në një bujtinë.

Skënder Pepkolaj thotë se Edisoni e ka marrë vëllai i pronarit për të ngarkuar material për ndërtim dhe i ka thënë se do ta rikthejë të nesërmen. Pasi kanë kryer punën, ai i ka komunikuar se punëtori e ka lënë në një ishull të vogël rëre.

Ka qenë vetë Pepkolaj, i cili ka bërë denoncimin në polici për zhdukjen e Edisonit, i cili ishte ndihmësi i tij në punën e ndërtimit. Policia e Shkodrës ka zhvilluar disa kontrolle në lumin e Shalës, por ende pa asnjë rezultat.