PRAPASKENAT e lobimit amerikan! Berisha kërkon heqjen e “non gratës” në SHBA, në krah ka njerëzit më të afërt të Trump (DETAJET)
Pasditja e 19 majit, 2021, “lëkundi” si kurrë më parë politikën shqiptare! Ish-kryeministri dhe lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Një “cicërimë” e asokohe sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken shkundi mirë politikën në vendin tonë, duke sanksionuar një nga politikanët më të pushtetëshëm në vendin tonë. Dhe me akuza të rënda!
“Veprat e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë e shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrjë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Ne vazhdojmë të jemi kundër korrupsionit së bashku me partnerët tanë në Shqipëri,”-shkruhej në njoftimin e dhënë nga Blinken.
Përtej përplasjeve brenda Partisë Demokratike dhe përçarjes historike që të gjithë e dëshmuam, qëndrimi i Sali Berishës ishte një: lufta! Fill të nesërmen, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dorëzoi në Gjykatën Korreksionale të Parisit padinë për shpifje ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Por deri më sot, shumë pak dihet se çfarë ka ndodhur, përveç faktit që çështja është e regjistruar për t’u shqyrtuar nga Gjykata. Tashmë, kur po i afrohemi vitit të katërt që Berisha është i sanksionuar, duket se Partia Demokratike ka vendosur që të shkojë në burim! Të lobojë direkt me Departamentin e Shtetit.
Një gjë e tillë u hamendësua me zgjedhjen e Chris LaCitiva si kryestrategun e fushatës. Kur “I besuari” i presidentit amerikan Donald Trump u shfaq krah Berishës në fushatë, aludimi i parë ishte që amerikani do të ndikonte tek lideri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të hequr sanksionimin.
Vetë LaCivita sqaroi se nuk ishte ky roli i tij, por udhëzimi dhe drejtimi i fushatës së Partisë Demokratike dhe aleatëve në Shqipëri. Por nuk tha kurrë se nuk do ta udhëzonte Berishën sesi të arrinte atë që ka 4 vjet që e kërkon.
Kështu, dje të gjithë u njohëm me një kontratë lobimi, me një vlerë të kripur, e cila ka një qëllim: Sali Berisha mos të jetë më i sanksionuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Kompania “Continental Strategy-Lobbying and Counsulting Firm” është paguar 6 milionë euro për të lobuar pranë qeverisë amerikane për një periudhë 2-vjeçare. Kontrata mban numrin “7545” dhe është nënshkruar nga Carlos Trujillo dhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka. Carlos Trujillo është një lobist amerikan dhe profesionist i çështjeve qeveritare, i cili më parë ka shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Organizatën e Shteteve Amerikane.
Ai është po ashtu anëtar i Partisë Republikane (Partia e Trump), dhe ka shërbyer 4 mandate në Dhomën e Përfaqësuesve të Floridës nga viti 2010 deri në emërimin e tij si ambasador.
Në mars 2020, Presidenti Donald Trump njoftoi synimin e tij për të emëruar Trujillon si Ndihmës Sekretarin e ardhshëm të Shtetit për Çështjet e Hemisferës Perëndimore dhe anëtar i bordit të drejtorëve të Fondacionit Ndër-Amerikan. Pjesë e grupit të kompanisë është edhe Katie Wiles, vajza e Susie Wiles, që shërbeu si shefja e fushatës së presidentit Trump në 2024, bashkëpunëtore e ngushtë e Chris LaCivita.
Aktualisht Wiles është shefja e kabinetit të Trump dhe konsiderohet si një nga personat më të besuar të presidentit amerikan.
Por sa ndikim ka Wiles tek Trump?
Me një fjalë: shumë!