Pranga të riut në Tiranë, shkon në 25 numri i të arrestuarve nga operacioni “Tempulli 4”
Megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 4” vazhdon të japë rezultate në luftën ndaj krimit të organizuar dhe narkotikëve. Gjatë aksionit të fundit, u kap dhe u ndalua një tjetër person i shpallur në kërkim, duke e çuar numrin e të arrestuarve në 25.
Operacioni, i cili ka qenë në zhvillim për disa muaj, ka çuar në sekuestrimin e 1.8 kg kokainë, 18 kg marijuanë, 350 doza me lëndë të dyshuar narkotike sintetike ekstazi dhe LCD. Po ashtu, janë konfiskuar aparatet celulare dhe automjetet e përdorura nga individët e përfshirë në këtë aktivitet të jashtëligjshëm.
Ditën e djeshme, pas marrjes së informacionit të besueshëm mbi vendndodhjen e një personi të kërkuar, forcat policore kanë intensifikuar aksionet për lokalizimin dhe ndalimin e tij.
Si rezultat i këtyre përpjekjeve, në afërsi të Brrylit është kapur dhe ndaluar shtetasi O. V., 24 vjeç, banues në Tiranë. Ky individ ishte shpallur në kërkim pas vendosjes së masës së sigurisë “Arrest në burg” nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Tiranë/Arrestohen 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin E. Sh., 39 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe një peshore elektronike.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin K. A., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka vjedhur disa produkte në një market.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasit:
– A. D., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë;
– S. K., 49 vjeç, dhe K. K., 60 vjeç, (vëllezër) të dy banues në Tiranë, pasi dyshohet se për shkak të një mosmarrëveshjeje që kanë për një gardh mes dy banesave të tyre, janë konfliktuar dhe kanë goditur njëri-tjetrin.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin A. M., 47 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj të dashurës së tij.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasit:
– A. Q., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi;
– F. B., 41 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar mjetin, në gjendje të dehur.
Materialet i kaluan Prokurorisë.