Porti i Vlorës/ Kapet me 20,345 euro të padeklaruara, procedohet penalisht 56-vjeçari

Një 56-vjeçar nga Vlora është proceduar penalisht pasi u kap në Portin e Vlorës me një shumë prej 20,345 eurosh të padeklaruara.

Gjatë kontrollit fizik dhe atij të automjetit të shtetasit A. Sh., shërbimet e Policisë Kufitare zbuluan shumën e konsiderueshme të parave të cilat nuk ishin deklaruar sipas ligjeve në fuqi.

Sipas njoftimit zyrtar, specialistët e Seksionit të Hetimit dhe ZMPKT Vlorë kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj 56-vjeçarit, i cili akuzohet për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Shuma e parave është sekuestruar ndërsa materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprime të mëtejshme.