Porositi vrasjen e ish-deputetit dhe kultivonte bimë narkotike, Durim Bami do ekstradohet nga Dubai drejt Shqipërisë

Policia shqiptare ka konfirmuar arrestimin e Durim Bamit në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndalimi i tij vjen për herë të dytë nga autoritetet në Dubai, pasi ndodhet në kërkim nga Prokuroria e Posaçme.  Durim Bami u shpall në kërkim gjatë operacionit “Revanshi”, pasi doli në bisedat e aplikacionit Sky.

45-vjeçari planifikonte vrasjen e ish-deputetit Arben Ndoka, Tori Xheçukës dhe Erigers Mihasit.

Përveç krijimit të kushteve për të kryer vrasje Bami akuzohet edhe për kultivim të bimëve narkotike. Sipas SPAK, Bami dyshohet se bashkëpunoi me ish efektivin e Renea Altin Morina për të mbjellë kanabis në zonën e Niklës. Ndaj Durim Bamit, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg pasi dyshohet për kryerjen e disa veprave të rënda penale.