Politikan gjerman fushatë në shqip! Markus Schreiber kërkon votat e shqiptarëve në Hamburg

Një fenomen i rrallë po ndodh në Hamburg, ku politikani gjerman Markus Schreiber, kandidat i SPD-së, ka zgjedhur një qasje të veçantë për të tërhequr votuesit shqiptarë në qytet. Fushata e tij ka marrë vëmendjen e madhe të mediave, përfshirë tabloidin gjerman BILD, për shkak të mënyrës së pazakontë që ka zgjedhur për të fituar simpatinë e komunitetit shqiptar.

Fushata në TikTok me simbolin e shqiponjës dhe këngën “Të ka lali shpirt”

Schreiber, 64 vjeç, ka postuar disa video në TikTok, ku ai flet shqip dhe premton të mësojë gjuhën shqipe. Postimet e tij, të shoqëruara me këngën e njohur “Të ka lali shpirt” dhe simbolin e shqiponjës, kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale, duke e kthyer atë në një figurë të njohur për shqiptarët në Hamburg.

Këto përpjekje duket se po japin fryte. Vetëm në një postim, Markus Schreiber ka grumbulluar mbi 304,181 pëlqime, ndërsa një tjetër ka marrë 161,042 pëlqime. Shqiptarët që jetojnë në Hamburg numërohen rreth 9,000 dhe përkrahja e tyre mund të jetë vendimtare për zgjedhjen e tij. Schreiber ka nevojë për vetëm 5-6,000 vota për të siguruar një vend në parlament, duke i dhënë kështu një peshë të jashtëzakonshme mbështetjes së shqiptarëve.

Markus Schreiber ka shprehur dëshirën për të përfshirë më shumë komunitetet e huaja në politikën gjermane, duke nisur me shqiptarët. Fushata e tij është një shembull se si politika moderne mund të gjejë mënyra kreative për të bashkuar kulturat dhe për të krijuar ura komunikimi me komunitetet emigrante.