“Umbria Jazz” në Perugia, në ndihmë edhe policia shqiptare
Dy oficerë të Policisë së Shtetit Shqiptar do të patrullojnë përkrah kolegëve italianë në rajonin e Umbrias, në kuadër të një bashkëpunimi të ngushtë ndërkombëtar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Ata do të jenë të pranishëm veçanërisht gjatë aktivitetit të njohur kulturor “Umbria Jazz”, një nga ngjarjet më të rëndësishme të sezonit në Perugia.
Komisioneri i Policisë së Perugias, Dario Sallustio, priti në seli oficerët shqiptarë dhe konfirmoi mbështetjen që do t’u ofrohet nga autoritetet italiane gjatë misionit të tyre. Patrullat e përbashkëta vijnë si pjesë e bashkëpunimit mes forcave të sigurisë, i koordinuar nga Departamenti i Sigurisë Publike në Itali dhe Drejtoria Qendrore e Policisë Kriminale, përmes Shërbimit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor.
Ky bashkëpunim, i cili është zbatuar me sukses edhe në dy vitet e kaluara, synon jo vetëm forcimin e sigurisë në ngjarjet masive, por edhe lehtësimin e komunikimit me komunitetin shqiptar që ndodhet në Itali apo me turistët shqiptarë që vizitojnë provincën.