Policia shoqëron kandidatin e PD në Fier, reagon PD: Veprim me urdhër të Belinda Ballukut – arrestohet se shpërndante fletushka

Një incident i tensionuar është shënuar sot në qendër të Fierit, ku kandidati i Partisë Demokratike për zgjedhjet vendore, Fatjon Semanjaku, është shoqëruar në komisariat nga Policia e Shtetit, pas një përplasjeje me punonjës të policisë bashkiake.

Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ndodhi pasi forcat bashkiake tentuan të heqin një banderolë elektorale të vendosur nga strukturat e PD-së, veprim që u kundërshtua nga Semanjaku. Për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit, policia ndërhyri dhe e shoqëroi kandidatin në komisariat, ku u mbajt për disa minuta dhe më pas u la i lirë.

“Policia e Fierit, me urdhër politik të Belinda Ballukut, ka shoqëruar në komisariat kandidatin e Partisë Demokratike Fatjon Semanjaku, pse bënte fushatë dhe shpërndante fletushka në shesh,” thuhet në deklaratën zyrtare të PD-së.

Në komisariat është paraqitur me urgjencë edhe Gazment Bardhi, një nga drejtuesit e lartë të PD-së, për të ndjekur nga afër situatën. Demokratët akuzojnë Bashkinë Fier për përdorim të strukturave shtetërore në funksion të fushatës së mazhorancës, duke e cilësuar këtë akt si shkelje flagrante të barazisë në garë dhe intimidim ndaj opozitës.