Policia Rrugore e Vlorës, solidarizohet me familjet në nevojë! Dhuron pako ushqimore dhe produkte të domosdoshme

Policia Rrugore e Vlorës ka ndërmarrë një nismë solidariteti, duke u gjendur pranë familjeve në nevojë. Punonjësit e këtij sektori dhuruan pako me ushqime dhe produkte të tjera të domosdoshme për disa familje që ndodhen në situata të vështira ekonomike.

Ndihmat u shpërndanë me ndërmjetësimin e shërbimeve mbështetëse të qarkut, të cilat siguruan që ato të përfitonin familjet më në nevojë.

Ky gjest humanitar dëshmon përkushtimin e punonjësve të Policisë së Vlorës, jo vetëm për garantimin e rendit dhe sigurisë rrugore, por edhe për mbështetjen e komunitetit në momente të vështira.

Policia Rrugore e Vlorës shpreson që kjo nismë të shërbejë si shembull frymëzimi për të gjithë, duke promovuar vlerat e solidaritetit dhe ndihmës për ata që kanë më shumë nevojë. Në vijim, strukturat e Policisë mbeten të përkushtuara për të kontribuar jo vetëm në sigurinë publike, por edhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve në nevojë.