Policia nisin hetimet për shitjen e biletave në tregun e zi për ndeshjen Shqipëri-Andorra, rrezikohen përplasjet me tifozët

Policia e Shtetit ka ndërmarrë një plan masash për të luftuar shitjen e biletave në tregun e zi për ndeshjen Shqipëri-Andorra. Agjentët e policisë kanë nisur gjurmimin e aktiviteteve të paligjshme në rrjetet sociale dhe në terren, përreth stadiumit, për të parandaluar shitjen e biletave me çmim shumë më të lartë se sa është çmimi origjinal.

Ky plan vjen pas informacioneve për mundësinë e aktiviteteve të paligjshme lidhur me biletat, ndërkohë që disa grupe tifozësh, përfshirë “Tifozët Kuq e Zi”, kanë shprehur shqetësim se janë lënë pa mundësi për të ndjekur ndeshjet e kombëtares, pasi nuk kanë mundur të sigurojnë bileta.

Policia ka marrë masa edhe për të mbajtur nën vëzhgim dhe nën kontroll tifozeritë e organizuara që do të jenë të pranishme në stadium për këtë ndeshje. Autoritetet po monitorojnë situatën për të siguruar një mjedis të sigurt dhe paqësor për të gjithë tifozët.