Policia Kufitare në Portin e Vlorës intensifikon kontrollet antidrogë, skanohet edhe një makinë funerali
Mbrëmjen e 7 janarit 2025, në Portin e Vlorës u regjistrua një fluks i lartë udhëtarësh, me 535 pasagjerë dhe 114 automjete që u nisën drejt Italisë.
Policia Kufitare intensifikoi kontrollet, duke ushtruar verifikime të detajuara në të gjitha automjetet, autobusët dhe bagazhet. Një makinë funerali iu nënshtrua një kontrolli të imtësishëm për rreth një orë, për shkak të dyshimeve për fshehje të lëndëve narkotike. Pas verifikimeve, nuk u gjetën substanca të paligjshme në mjet.
Këto masa të shtuara sigurie shkaktuan radhë të gjata dhe vonesa në imbarkimin e pasagjerëve dhe automjeteve në tragetin e linjës Vlorë-Brindisi. Kontrollet e imtësishme synojnë parandalimin e trafikut të lëndëve narkotike dhe garantimin e sigurisë së udhëtarëve.