Policia e Shtetit ka kthyer përgjigje ndaj kërkesës së Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) lidhur me tubimin e datës 12 shkurt, kur u zhvillua seanca për verifikimin e masës së sigurisë ndaj Erion Veliajt, kryebashkiakut të Tiranës, nën hetim për korrupsion në nëntë raste dhe pastrim parash me kërkesë të SPAK.
Sipas shkresave zyrtare, përgjigjja nga policia ka mbërritur më datë 19 shkurt përmes postës. Në dokument thuhet se gjatë tubimit ishin të angazhuar 77 oficerë policie, të drejtuar nga Policia Lokale e Komisariatit nr. 3, e cila mbulon zonën ku ndodhet godina e GJKKO-së. Po ashtu, Policia e Shtetit thekson se Garda e Republikës nuk ka kërkuar ndihmë shtesë në asnjë moment gjatë tubimit.
Pavarësisht prezencës së forcave të sigurisë, gjykata ka ngritur dyshime për mospërmbushjen e detyrës nga ana e policisë, pasi rruga e stafit gjyqësor u bllokua pas përfundimit të seancës. Si pasojë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur një verifikim administrativ për të zbardhur situatën.
AMP ka sekuestruar dokumentacionin nga salla e menaxhimit në Drejtorinë Vendore të Policisë për të hetuar nëse ka pasur kërkesa për mbështetje policore gjatë tubimit. Deri më tani janë marrë në pyetje disa oficerë, por nuk ka ende një përfundim zyrtar mbi përgjegjësitë e mundshme për mosmarrjen e masave të nevojshme, siç është vendosja e kordonit policor.
Në seancën e datës 12 shkurt, GJKKO e cilësoi situatën si të paprecedentë, të patolerueshme dhe që rrezikoi jetën e gjyqtarëve. Pavarësisht hetimit administrativ nga AMP, deri tani nuk ka nisur një hetim penal për të përcaktuar përgjegjësit, siç është kërkuar nga gjykata.
Hetimet pritet të vazhdojnë për të sqaruar nëse ka pasur shkelje ligjore nga strukturat e sigurisë gjatë zhvillimit të tubimit.