Policia greke “shkund” burgun e Koridhalos! Kontrollet në qelitë e shqiptarëve çojnë në izolimin e kreut të “mafias së burgjeve”, i akuzuar për rekrutim të vrasësve me pagesë

Gjatë kontrollit të befasishëm të ndërmarrë në burgun famëkeq të Koridhalos në Athinë, forcat speciale të policisë greke zbuluan prova të reja që kanë thelluar më tej dyshimet për ekzistencën e një strukture kriminale që vepron nga brenda mureve të burgut. Në qelitë e disa të dënuarve shqiptarë, përfshirë dhe atë të Klodian Lekocajt — të njohur si “kreu i mafias së burgjeve” — u gjetën telefona celularë të ndaluar, thika të improvizuara dhe një sasi e vogël kokaine.

Pas kontrollit, autoritetet vendosën të izolojnë Lekocajn, i cili edhe më herët është akuzuar për rekrutimin e vrasësve me pagesë dhe për urdhërimin e disa eliminimeve fizike, brenda dhe jashtë burgut.

Vetëm dhjetë ditë më parë, 48-vjeçari akuzohej se kishte marrë peng disa gardianë në burgun e Koridhalos, me qëllim kalimin në një sektor tjetër të burgut, dyshohet për të realizuar një atentat.

Lekocaj, me një dosje të gjatë kriminale, është një figurë e errët që prej vitesh gjendet në qendër të hetimeve për veprimtari të rënda mafioze. Media greke e ka etiketuar atë si një nga figurat kyçe të mafies së burgjeve, edhe pse ai vetë është përpjekur ta paraqesë veten si “i pafajshëm” dhe “i varfër”. Megjithatë, dëshmitë, përgjimet dhe faktet që zotëron policia greke flasin për një tjetër realitet.

Në vitin 2022, dy shqiptarë – Viktor Çala dhe Andi Beqiri – u arrestuan në Athinë me arsenal armësh në automjetin dhe banesën e tyre. Hetimet zbuluan se Çala ishte autori i një vrasjeje dhe një tentative tjetër për vrasje, të kryera në korrik të po atij viti. Ai deklaroi se kishte vepruar me urdhër të Klodian Lekocajt për shkak të prishjes së pazareve të drogës.

Emri i Lekocajt është lidhur edhe me urdhërimin e disa vrasjeve të tjera të bujshme në Greqi, përfshirë eliminimin e avokatit grek Mixalis Zafiropoulos, vrasjen e të burgosurve Arbër Bako dhe Bardhyl Tusha, si dhe tentativa për eliminimin e një shtetasi pakistanez. Ai ka qenë gjithashtu i përfshirë në gjobvënie ndaj ish-ministrit grek Dimitris Tsovolas dhe ndihmë për arratisje të të dënuarve Leonard dhe Elvis Pepa.

Precedentët e tij fillojnë që në vitin 1997 me vjedhje, për të vijuar me arratisje nga burgu, plagosje me armë, trafik droge dhe vrasje. Në vitin 2014 ai u arrestua në Sepolia së bashku me një tjetër shqiptar famëkeq, Dhimo Meci, pas një vale atentatesh që përfshinte dhe ngjarjen e Mikrolimanos ku Arbër Bako plagosi me kallashnikov klientët e një lokali.

Në prill 2025, Lekocaj është vënë sërish nën hetim për porositjen e atentatit ndaj dy shqiptarëve, Kristjanis Stefa dhe Florian Bajraktari, që ndodhi më 23 shtator 2024 në Greqi. Ai dyshohet gjithashtu se në vitin 2019 kishte rekrutuar një vrasës nga Shqipëria për të eliminuar një shtetas pakistanez, ndërsa në mars 2023 akuzohej për gjobvënie prej 100 mijë eurosh ndaj një biznesmeni grek.