Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka reaguar pas kritikave të SPAK, i cili tha se Policia nuk kishte marrë masa për menaxhimin e grumbullimit të mbështetësve të kryebashkiakut Erion Veliaj pranë Gjykatës së Posaçme më 12 shkurt.
Në deklaratën e saj, Policia e Tiranës thekson se organet ligjzbatuese duhet të komunikojnë përmes kanaleve institucionale dhe jo përmes mediave. Ajo sqaroi se godina e SPAK ruhet nga Garda e Republikës dhe nuk ka marrë asnjë njoftim për ndonjë pengesë të punës së gjyqtarëve apo prokurorëve.
Sipas Policisë, situata u vlerësua në kohë dhe u angazhuan 77 punonjës për të ruajtur rendin, përfshirë forca të Patrullës së Përgjithshme, hetues të Krimeve, policë rrugorë dhe forcat “Shqiponja”. Deklarohet se seanca gjyqësore u zhvillua pa asnjë incident dhe asnjë institucion nuk kërkoi ndihmë për ndonjë problem sigurie.
Lidhur me tubimin, Policia e Tiranës argumenton se grumbullimi ishte spontan dhe nuk kishte elementë të një tubimi të organizuar, ndaj nuk kishte arsye për vendosjen e kordonit policor. Megjithatë, për të vlerësuar situatën, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim administrativ për të verifikuar masat e marra nga strukturat policore dhe për të përcaktuar nëse ka pasur ndonjë mangësi në veprimet e ndërmarra.
Në përfundim, Policia e Shtetit rithekson angazhimin e saj për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, si dhe për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet ligjzbatuese.