Policia e Shtetit kap tre persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, konsiderohen si njerëz me rrezikshmëri të lartë
Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale (FAST Albania) në Departamentin e Policisë Kriminale ka finalizuar me sukses tre operacione të rëndësishme gjatë 24 orëve të fundit, duke kapur tre persona me rrezikshmëri të lartë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në pranga Ylli Zherri alias Ylli Gjuci, Lumnije Freskina alias Lumnije Danaj dhe Ahmad Farhan.
Operacionet u realizuan në bashkëpunim me homologët e rrjetit ENFAST dhe forcat policore të Italisë dhe Suedisë. Të arrestuarit akuzohen për përfshirje në aktivitete kriminale të rënda si trafikimi i lëndëve narkotike dhe kanosje serioze për vrasje.
NJOFTIMI I POLICISË:
Të arrestuarit janë:
1.Y. Zh. alias Y. Gj., 32 vjeç, lindur në Mamurras, u kap në Mamurras. Ai është shpallur në kërkim nga Gjykata e Vareses, Itali, e cila ka lëshuar një masë sigurie “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” në kuadër të një organizate kriminale.
2.L. F alias L. D., 60 vjeçe, lindur në Shkodër, u arrestua në Shkodër. Gjykata e Apelit të Firences, Itali, ka lëshuar urdhër për arrestin e saj, për të njëjtën akuzë – “Trafikimi i lëndëve narkotike” në kuadër të një grupi kriminal.
3.A. F., 37 vjeç, shtetas suedez, u ndalua në Tiranë. Gjykata e Orebros, Suedi, e kërkon atë për veprën penale “Kanosje serioze për vrasje”.
Ekstradimi në proces
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, po punon për finalizimin e procedurave të ekstradimit të këtyre shtetasve drejt vendeve respektive. Operacionet e zhvilluara në kuadër të aksionit “Operacionalja 22” janë dëshmi e koordinimit të ngushtë ndërkombëtar dhe e angazhimit të Policisë së Shtetit për luftën kundër krimit të organizuar.