Policia e Shtetit i përgjigjet Prokurorisë: Punonjësi i Patrullës bëri detyrën, hetimin e nis AMP, jo Prokuroria
Policia e Shtetit, përmes një komunikate zyrtare i është përgjigjur njoftimit të një dite më parë bërë nga Prokuroria e Korçës sa i përket vrasjes së Egli Progës më 10 gusht 2024 në qytetin e Pogradecit. Në njoftimin e bërë, blutë rendisin me radhë përgjigjet për të gjitha pretendimet e ngritura nga organi i akuzës së qytetit juglindor. Një përgjigje, policia e ka edhe për ngritjen e akuzës për punonjësin e Patrullës së Përgjithshme, i cili u akuzua nga prokuroria për “Shpërdorim detyre”.
“Fakti është se punonjësi i Patrullës së Përgjithshme, Inspektor A.L., i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, nuk ka asnjë lidhje me hetimin policor të ngjarjes Hetimi i ngjarjes kryhet nga Oficerët e Policisë Gjyqësore dhe grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë. Punonjësi i Policisë inspektor A.L me të mbërritur në vendngjarje ka komunikuar me të pranishmit, ka bërë sigurimin e vendngjarjes, ka informuar sallën operative mbi ngjarjen, gjeneralitetet e të dëmtuarit, si dhe kërkesën për ndihmë mjekësore.Sqarojmë opinionin publik se, punonjësi i Patrullës së Përgjithshme ka përmbushur të gjitha detyrat funksionale.”
Më tej Policia vijon të sqarojë se në rastin e vrasjes së Egli Progës ka bërë të gjithë detyrat funksionale që ka. Ndërsa tregoi edhe se AMP ka nisur një hetim të plotë mbi mënyrën se si kanë vepruar punonjësit e policisë. Kujtojmë se ngjarja e ndodhur në Pogradec ka krijuar një ngërç dhe përplasje institucionale dhe politike. Nga ana tjetër familjarët e 42-vjeçarit të vrarë, kanë kërkuar që rasti të mos politizohet.