Policia e Shtetit forcon bashkëpunimin me kompaninë Meta për luftën kundër krimit kibernetik

Policia e Shtetit dhe kompania “Meta Platforms INC.” kanë hedhur një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike, me qëllim rritjen e efektivitetit në luftën kundër krimeve që zhvillohen në hapësirën digjitale.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, mirëpriti në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, përfaqësuesit e kompanisë “Meta”, znj. Kateryna Kruk, Drejtuese Rajonale e Politikave Publike për Europën Qendrore dhe Lindore, si dhe z. Birger Uitt, Menaxher i Besimit dhe Sigurisë për të njëjtën zonë.

Në takim morën pjesë edhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, përfshirë Drejtorin e Departamentit të Policisë Kriminale, Drejtues i Lartë Neritan Nallbati, dhe Drejtoreshën e Hetimit të Krimeve Kibernetike, Drejtues i Parë Ervina Gjana.

Diskutimet u zhvilluan në një frymë të hapur dhe konstruktive, duke u përqendruar në problematikat e hasura në platformat sociale të administruara nga “Meta”, si dhe në domosdoshmërinë për të ngritur mekanizma të përbashkëta që rrisin efikasitetin e hetimeve dhe menaxhimin e rreziqeve online.

Policia e Shtetit falënderoi përfaqësuesit e kompanisë për bashkëpunimin e deritanishëm, sidomos në rastet emergjente që lidhen me mbrojtjen e të miturve, ndërsa theksoi nevojën për intensifikimin e këtij partneriteti në të ardhmen.